Aksidenti në Kroaci, 5 viktima nga komuna e Gjakovës

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se deri më tani janë 5 nga viktimat e aksidentit të autobusit nga Kosova në Kroaci janë qytetarë nga komuna e Gjakovës.

“Është tepër e rëndë të mendojnë se si ndihen familjet e viktimave. Janë pesë viktima nga Gjakova. Pos bashkë vozitësit që është konfirmuar më herët se ka ndërruar jetë në këtë tragjedi, kemi edhe katër viktima tjera. Kemi një nënë dhe një vajzë nga fshati Devë, dhe një tjetër grua nga fshati Lipovec”, ka thënë Gjini në RTV Dukagjini.

Gjini ka bërë të ditur se në bashkëpunim me nivelin qendror do t’i njoftojnë familjet për emrat e viktimave.

“Kanë ardhë këshilltar dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme, kanë ardhë me emra të viktimave dhe jemi në koordinim me ta për ti njoftuar familjet. Është një lajm i dhimbshëm dhe i urojmë shërim të shpejtë personave që janë në Kroaci”, tha më tej ai.

Dhjetë persona kanë mbetur të vdekur e mbi 40 të tjerë janë lënduar nga një aksident që pësoi një autobus nga Kosova në Kroaci.

Autobusi po udhëtonte nga Frankfurti drejt Prishtinës i mbushur me udhëtarë kosovarë që vinin drejt Kosovës për pushime.