Foto: Smajl Latifi

Aksidenti në Kroaci, 2 viktima janë nga komuna e Rahovecit

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë të ditur se 2 nga 10 viktimat e aksidentit të sotëm në Kroaci janë nga komuna e Rahovecit.

Latifi përmes një postimi në Facebook tha se me të marrë lajmin për humbjen e jetëve të dy bashkëqytetarëve ka marrë rrugën për në Kroaci.

“K.K. nga Malësia e Vogël dhe A.B. nga Krusha e Madhe, janë dy viktimat e konfirmuara nga komuna e Rahovecit, për të cilët lumturia e ardhjes në atdhe u kthye në një hidhërim për gjithë të afërmit, të njohurit, dhe të gjithë ne”, ka shkruar ai duke ju shprehur ngushëllimë familjeve.

Ai ka shtuar se gjatë tërë ditës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, dhe atasheun ushtarak të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kroaci, Skënder Hoxha.

“Kjo dhimbje duhet të na forcojë kujtimin për ata që humbën jetën, dhe për idealet e tyre dhe perspektivën për një jetë më të mirë! Shërim të shpejtë të lënduarve”, ka shkruar Latifi.

Dhjetë persona kanë mbetur të vdekur e mbi 40 të tjerë janë lënduar nga një aksident që pësoi një autobus nga Kosova në Kroaci.

Autobusi po udhëtonte nga Frankfurti drejt Prishtinës i mbushur me udhëtarë kosovarë që vinin drejt Kosovës për pushime.