Aksident me fatalitet në Prishtinë

Aksidenti me fatalitet në Prishtinë, e dyshuara dërgohet në mbajtje

Një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në afërsi të Ministrisë së Arsimit në Prishtinë më 26.02.2024.

Në aksident ka qenë e përfshirë një veturë, shoferja e së cilës është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Kështu ka njoftuar për KALLXO.com zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se lidhur me aksidentin i cili ndodhi sot në rrugën “Agim Ramadani”, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuares. E dyshuara është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh” – tha Ulaj.

Ajo njoftoi se shoferja e veturës po dyshohet për veprën penale – rrezikim i trafikut publik (me fatalitet).

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të kaluara janë evidentuar gjithsej 34 aksidente në trafikun rrugor, përderisa PK-ja me  zyrtarët e saj janë duke kryer aktivitete në terren me qëllim që të parandalohen aksidentet rrugore, por edhe janë duke ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj atyre personave që nuk respektojnë rregullat dhe shenjat në trafik.

“Gjatë 24 orëve në këtë fushëveprim në nivel vendi janë realizuar 804 pika kontrolli të automjeteve, përderisa 34 shoferëve iu janë konfiskuar patentë shoferi për shkelje të ndryshme të rregullave në trafik”- thuhet në njoftim.

Pas aksidentit me fatalitet që ndodhi më 26.02.202 në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, Policia u ka bërë apel të gjithë shoferëve, por edhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik që të jenë të kujdesshëm dhe gjatë pjesëmarrjes në rrugë të respektojnë dispozitat ligjore që burojnë nga ligji mbi trafikun rrugor, në mënyrë që secili të kontribuon në zvogëlimin e statistikave të aksidenteve rrugore e në veçanti parandalimin e aksidenteve me pasoja fatale.

Aksidenti me fatalitet në Prishtinë, Policia jep detajet

www.kallxo.com