AGK: Gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët të përfshihen në Pakon Emergjente të Qeverisë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur  shqetësim në lidhje me mospërfshirjen punonjësve medial në Pakon Emergjente Fiskale, të miratuar nga Qeveria në detyrë.

“Përballë një pandemie globale, vlerësojmë se punonjësit medial duhet të mbështeten nga shteti, pasi gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët, janë pothuajse në vijën e parë të frontit në këtë betejë”, thuhet në komunikatë.

AGK ka kërkuar nga Qeveria në detyrë të marrë masa urgjente për të lehtësuar punën e gazetarëve në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë.

“Të alokohen fonde për çdo gazetar, kameraman, fotoreporter dhe punonjës tjetër medial në vlerë të pagës minimale, dhe mediet apo kompanitë mediatike të lirohen nga pagesa e kontributeve në dy muajt e ardhshëm. Кërkojmë që parakushti kryesor për përdorimin e përfitimeve të jetë moslargimi i gazetarëve dhe punonjësve tjerë medial nga puna, përderisa zgjasin këto masa”, thuhet më tej.

Sipas AGK-së, në vendet e rajonit, Maqedonia ka aprovuar pagën minimale nga shteti (afro 250 euro) përveç pagës tjetër për gazetarët dhe punonjësit medial, ndërkaq të gjitha mediet janë liruar nga pagesa e taksave për mediet për muajin prill dhe maj.

Në anën tjetër, Mali i Zi do të sigurojë ndihmë financiare në vlerë prej afro 265 mijë euro për median malazeze.

AGK po ashtu ka bërë të ditur se që nga 28 marsi, ka provuar të kontaktoj me zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për të pyetur se si është paraparë çështja e gazetarëve dhe punonjësve medial në Kosovë, por sipas tyre ende nuk kanë pranuar asnjë përgjigje.

“AGK është në dispozicion gjatë kësaj periudhe me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta për të lehtësuar punën e kolegëve tanë. Po ashtu AGK apelon tek pronarët e medieve që të tregojnë korrektësi në trajtimin e kolegëve tanë, ndërkaq u bënë thirrje gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve që ta lajmërojnë në AGK çdo padrejtësi që mund të iu bëhet atyre”, është thënë në reagimin e AGK-së.

“Nëse fillojnë të mbyllen dritaret informative, pasojat do t’i vuajnë qytetarët. Mungesa e transparencës, mungesa e informacionit apo informacioni i njëanshëm është shumë i dëmshëm në kohë krize”, përfundon njoftimi.

Ministria e Financave dhe Transfereve ka propozuar një pako të masave emergjente, ku si hap i parë është adresimi i problemeve ekonomike të bizneseve dhe sektorit privat.

Shuma totale e kësaj pakoje emergjente pritet të jetë rreth 170 milionë euro, ndërsa Qeveria synon që ta mbulojë këtë shumë duke marrë kredi.

Cilat kategori përfitojnë nga pako emergjente e Qeverisë?

www.kallxo.com