Ilustrimi: KALLXO.com

Cilat kategori përfitojnë nga pako emergjente e Qeverisë?

Ministria e Financave dhe Transfereve ka propozuar një pako të masave emergjente, ku si hap i parë është adresimi i problemeve ekonomike të bizneseve dhe sektorit privat.

Shuma totale e kësaj pakoje emergjente pritet të jetë rreth 170 milionë euro, ndërsa Qeveria synon që ta mbulojë këtë shumë duke marrë kredi.

Sipas Ministrisë së Financave është duke u negociuar financim nga Banka Botërore deri në 70 milionë euro, është dorëzuar kërkesa në FMN për kredimarrje nga instrumenti i shpejtë financiar në masën e 52 milionë eurove. Po ashtu, është kërkuar kredi në shumën e 35 milionë eurove nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Europës.

Dhe është dërguar kërkesë zyrtare për mbështetje në Ministrinë gjermane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Qeveria gjithashtu synon një financim të brendshëm përmes huamarrjes dhe të vetmen  mundësi e ka nga Trusti Pensional.

Por cilat kategori do të përfitojnë nga kjo pako emergjente?

Skemat sociale

Sipas Ministrisë, fokusi i parë i masave të kësaj pakoje janë përfituesit e skemave sociale.

Në muajin mars mbi 98 mijë qytetarë janë përfshirë në këtë skemë, duke marrë një asistencë shtesë mujore. Njëjtë do të veprohet edhe në dy muajt e ardhshëm, duke e arritur vlerën e intervenimit në 7.6 milionë euro.

Përfituesve të skemave sociale që marrin më pak se 100 euro në muaj, në tre muajt e ardhshëm do t’u ndahen nga 30 euro shtesë.

Në këtë grup hyjnë përfituesit e skemës së pensioneve bazike, pensionet për persona me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e pensioneve familjare.

Bizneset private si kafenetë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

Bizneset private të cilat e kanë ndërprerë apo kufizuar veprimtarinë e tyre ekonomike gjatë masave të Qeverisë kundër COVID-19 do të jenë përfitues të pakos emergjente.

Me vendim të Qeverisë dhe të Bankës Qendrore, tashmë janë shtyrë për një periudhë të caktuar kohore obligimet tatimore dhe detyrimet ndaj sistemit bankar.

Sipas Ministrisë së Financave,  kompanitë që janë prekur nga masat, Qeveria ka vendosur që t’i asistojë me tri ndërhyrje: Mbulimin e shpenzimit të pagave, me pagën minimale prej 170 euro për dy muajt e ardhshëm, deri në maksimumin e 41 milionë eurove; subvencionimin e qerasë deri në maksimumin e mundshëm prej 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për dy muajt e ardhshëm me një total prej 12 milionë eurove; si dhe do t’u paguhen kontributet pensionale punëtorëve të sektorit privat që janë prekur nga masat për dy muajt e ardhshëm, në total prej 8  milionë eruove.

Gjithashtu, kompanitë që kanë shënuar rënie të përkohshme të të hyrave të rregullta si rezultat i kufizimeve, si dhe ndërmarrjet publike komunale apo ndërmarrjet në pronësi private që ofrojnë shërbime bazike, mund të kërkojnë likuiditet nga Qeveria deri në masën e nevojshme për të mbajtur operimin e rregullt të veprimtarisë.

Sipas njoftimit të Ministrisë, shumë këtë të cilën janë të detyruar t’ia kthejnë shtetit pas stabilizimit të situatës, jo më larg se në fund të dhjetorit 2020.

Stafi mjekësor, Policia dhe Zjarrfikësit

Padyshim që në front të parë të përpjekjeve për të kontrolluar përhapjen e COVID-19 dhe respektimin e masave të Qeverisë kanë qenë stafi mjekësor, Policia dhe Zjarrfikësit.

Sipas Ministrisë, për këto kategori të nëpunësve publikë do të ndahet një shpërblim shtesë nga Qeveria, në shumën fikse prej 300 eurove, për secilin nga dy muajt e ardhshëm.

Për këtë qëllim do të ndahen 15 milionë euro.

Ndërsa në njoftimin e Ministrisë së Financave nuk është cekur se cilat kategori të këtyre sektorëve do të shpërblehen, apo nuk do të ketë përjashtime në shpërblim.

Marketet, furrat dhe barnatoret

Përkundër faktit që masat e Qeverisë nuk kanë qenë të plota për marketet, furrat dhe barnatoret, Qeveria ka paraparë shpërblim edhe për punëtorët e këtyre sektorëve.

Për këtë qëllim janë ndarë 3 milionë euro, ku do të ketë nga një pagesë shtesë për punëtorët  për dy muajt e ardhshëm, në vlerë prej 100 euro në muaj.

Qeveria e ka vlerësuar lartë funksionimin e këtyre sektorëve, duke qenë se kanë punuar rregullisht, duke siguruar furnizim të amvisërive me nevoja ushqimore dhe shëndetësore.

Kompanitë vetëprodhuese

Qeveria ka parashikuar ndihmë edhe për ato kompani që kanë ruajtur fuqinë punëtore gjatë kësaj krize, dhe që fillojnë prodhimin e produkteve të reja apo që rrisin eksportet.

Megjithatë, në këtë situatë mund të ketë ndërmarrje që nuk mund ta evitojnë largimin e një pjese të punëtorëve nga puna.

Sipas njoftimit, për ata punëmarrës që humbin punën gjatë kësaj periudhe, Qeveria ka marrë përsipër pagesën e një asistence mujore në masën e 130 eurove për tre muajt e ardhshëm. Maksimumi i shumës së aloktuar do të jetë 4 milionë euro.

Po ashtu, është paraparë ndihmë edhe për mikrokompanitë dhe të vetëpunësuarit. Për këtë, Qeveria do të përpilojë një pako përmes të cilës kompanitë mund të sigurojnë një likuiditet financar për një periudhë maksimale prej 24 muajve dhe shumë maksimale prej 10 mijë eurosh.

Ndërsa 10 milionë euro të tjera parashihet të ndahen për mbështetje të eksportuesve, të cilët do të përfitojnë në raport me shtimin e vëllimit të tyre të eksporteve.

Komunat

Komunat dhe pushteti lokal gjithashtu do të jenë përfitues të pakos emergjente të Qeverisë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, në rast të zgjatjes së mëtejme të kufizimeve në lirinë e lëvizjes dhe zgjerimit eventual të kufizimeve, komunat do të kenë nevojë për mbështetje financiare.

Për këtë arsye, Qeveria do të sigurojë financim shtesë për komunat më të prekura në masën e 10 milionë eurove.

Komunitetet pakicë

 Qeveria e Kosovës përmes pakos së masave emergjente, ka parashikuar një ndihmë edhe për komunitetet pakicë të vendit.

Për këtë qëllim, është parashikuar të ndahet një shumë prej 2 milionë eurove për iniciativë dhe projekte që targetojnë përmirësimin e kushteve të minoriteteve që janë goditur më shumë nga pandemia.

Bujqësia

Pandemia COVID-19 ka vënë në pah edhe domosdoshmërinë e rritjes së prodhimit bujqësor.

Për të inkurajuar rritjen e kapaciteteve brenda vendit, Qeveria ka parashikuar të rrisë buxhetin për grante dhe subvencione në Ministrinë e Bujqësisë për 5 milionë euro.

Sporti dhe kultura

Qeveria ka parashikuar një ndihmë të vogël edhe për sektorin e kulturës dhe të sportit. Masat e ndërmarra deri më tani, kanë ndikuar mjaft në këto aktivitete.

Për këtë arsye, Qeveria ka parashikuar që të rritet për 5 milionë euro buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo shumë do të përdoret për subvencionimin shtesë të shoqatave sportive dhe kulturore të vendit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se gjatë ditës së sotme (30 mars), pritet që kjo pako emergjente e masave të dërgohet në Qeveri si propozim. Ndërsa ka thënë se nuk dihet data e saktë se kur mund të realizohen.

“Data e saktë kur mund të realizohen nuk mund të thuhet ende pasiqë janë ende vetëm propozim, por për masat që vlejnë për dy muajt si paga prej 170 euro për sektorin privat, këto llogariten për muajin mars dhe prill, ndërsa kur do të ekzekutohen me datë nuk mund të themi ende”, ka thënë Kryeziu në përgjigjen e tij me shkrim.