AGK e cilëson të rrezikshme gjuhën e përdorur nga ministri Sveçla

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka konsideruar të rrezikshme gjuhën të cilën e ka përdorur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndaj gazetarëve për protestën e sotme.

“Ministri Sveçla insinuon se audio-incizimet e Shefes së Grupit Parlamentar të partisë së tij, Mimoza Kusari Lila me ish-deputetin e Srpskas, Simiq u janë dhënë medieve kosovare nga presidenti serb, Vuçiq.  Ministri gjithashtu akuzon gazetarët Berat Buzhala dhe Vehbi Kajtazi për organizimin e protestës së veteranëve” – ka thënë AGK.

Tutje Asociacioni tha se gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediat.

I pari i MPB-së, Xhelal Sveçla pati një reagim dhe lidhi protestën e paralajmëruar për sot me luftën hibride të Serbisë dhe gazetarët në Kosovë.

“Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë” – thotë Sveçla.

“Mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë” – tha ai.

Tutje ministri tha se është e çuditshme sipas tij se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit.

“Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë” – shprehet ministri.

Ky postim i ministrit bëri që krerët e dy partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës e edhe Partia Demokratike e Kosovës të reagojnë.

Opozita i reagon Sveçlës pas deklarimeve të tij për protestën e sotme