AGK dënon sulmin ndaj gazetarit Ensar Ramadani

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon sulmin që i është bërë gazetarit të portalit “IndeksOnline”, Ensar Ramadani, nga ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

AGK ka reaguar pasi që ministri Shala pretendohet se e ka goditur në fytyrë gazetarin Ramadani, përderisa ky i fundit ishte në kryerje të detyrës.

Gazetari ishte duke përcjellë nga afër gjendjen e të plagosurit në QKUK, që thuhet se është zyrtar i Nismës Socialdemokrate.

Sipas njoftimit, AGK ka marrë edhe deklaratën e Policisë së Kosovës, sipas të cilës, gazetari aktualisht është duke u marrë në pyetje në stacionin “Jugu” dhe se njësitet policore janë duke e trajtuar rastin.

“AGK dënon këtë sulm dhe çdo sulm tjetër fizik e verbal që bëhet nga politikanët dhe bartësit e institucioneve dhe fton policinë, prokurorinë dhe të gjithë sistemin e drejtësisë të trajtojnë me prioritet rastet e gazetarëve”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com raportoi orë më parë se gazetar i portalit ‘Indeksonline’, Ensar Ramadani, po pretendon se është sulmuar fizikisht nga ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Gazetari pretendon se është grushtuar nga Endrit Shala, pasi ky i fundit ia ka kërkuar telefonin e ai nuk ia ka dhënë.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Sot rreth orës 20:00 është raportuar për një rast qe ka ndodhur ne QKUK. Pala ankuese ka raportuar rastin ne stacion policor dhe njësitet kompetente po merren me rastin”, ka thënë Baki Kelani.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Endrit Shalën, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

KALLXO.com ka raportuar sot se një incident me të shtëna me armë zjarri ka ndodhur në lagjen Veternik të Prishtinës.

Policia e ka konfirmuar se një person është plagosur dhe një i dyshuar është arrestuar.