Ilustrim

Aeroportet të rrisin sigurinë gjatë bartjes së vaksinave anti-COVID

Aeroportet nëpër botë po këshillohen që të rrisin përpjekjet e sigurisë për të mbrojtur dërgesat e vaksinave ndaj COVID-19 mes paralajmërimeve të policisë për shënjestrim të mundshëm nga rrjetet kriminale, raporton Reuters.

Rekomandimi nga një organ global i aeroporteve vjen teksa kompanitë farmaceutike dhe linjat ajrore po kryejnë operacionin më të madh logjistik të këtij lloji për shpërndarjen e vaksinave të krijuara për të luftuar pandeminë globale.

Këshilli i aeroporteve ndërkombëtare rekomandoi që aeroportet të ndërlidhen me autoritetet lokale dhe të kryejnë vlerësime të rrezikut gjatë dërgesave, duke pasur parasysh kërcënimet e mundshme,” tha një zëdhënës.

Natyra e ndjeshme e vaksinave, niveli i lartë i kërkesës që do jetë për zotërimin e tyre, dhe furnizmi fillestar i kufizuar ka potencial që të gjenerojë vëmendje nga persona ose grupe me qëllim të keq,” tha ai.

Duhet t’i kushtohet vëmendje rritjes së mbrojtjes ndaj këtyre mallrave dhe pajisjeve ku do futen. Në shumë raste kjo kërkon koordinim me autoritetet lokale të sigurisë”.

Agjencia globale e koordinimit të policisë Interpol paralajmëroi se gjatë kësaj kohe rrjetet e organizuara kriminale mund të kenë synim këto vaksina, ndoshta përmes depërtimit ose prishjes së zinxhirëve të furnizimit.

Aeroportet gjithashtu u këshilluan që të kenë parasysh masat paraprake të sigurisë, duke pasur në konsideratë përdorimin e sasisë së madhe të akullit të thatë që kërkohet për t’i mbajtur të ftohta këto vaksina.

Vaksina e zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTexh ka filluar të administrohet për njerëzit në SHBA dhe Britani dhe një vaksinë e dytë, nga Moderna pritet të fitojë miratimin e rregullatorit nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA brenda pak ditëve.