Ilustrimi: Pixabay

Abuzimet online me pandeminë në Kosovë

Që nga 13 marsi kur në Kosovë u regjistrua rasti i parë me virusin COVID-19, qytetarët e vendit filloi t’i kaplojë paniku pavarësisht thirrjeve të autoriteteve që të mos krijohet panik.

Qeveria shpalli gjendje emergjente e të drejtat e qytetarëve për lëvizje u kufizuan ndërsa kjo gjendje e shpallur në Kosovë filloi të shfrytëzohej në mënyra të ndryshme nga shumë persona në Kosovë.

Një pjesë e madhe e tyre biznesmenë, të cilët filluan të përfitojnë nga kjo gjendje emergjente në Kosovë, përmes ngritjes së çmimeve.

Më shqetësuese se ngritja e çmimeve në vend u pa abuzimi online i cili u bë me coronavirusin gjatë kësaj periudhe.

Dy ditë para se rasti i parë të evidentohej në Kosovë, një media ishte kujdesur që të shpërndante një informacion të pakonfirmuar në të cilin thuhej se dy mostra të dyshuara me COVID-19 ishin dërguar për verifikim në Shqipëri.

Lajmi mund të kishte shkaktuar panik tek qytetarët në rast se nuk do të demantohej menjëherë nga Instituti i Shëndetësisë publike në Kosovë.

Për abuzimet online me coronavirusin nuk munguan as arrestimet.

Pasi ishin konfirmuar dhjetëra raste me COVID-19, në rrjetet sociale ishte shfaqur një qytetar nga Gjilani i cili pretendonte se e kishte gjetur ilaçin me të cilin do ta luftonte virusin.

Ky person u kishte bëre thirrje të infektuarve me coronavirusin që ta përdorin barin e tij për tu shëruar. .

Nuk vonoi shumë dhe thirrjes së tij ju përgjigj Prokurori i shtetit mirëpo jo për t’u shëruar por për ta arrestuar atë.

K.A, nga Gjilani u arrestua me vendim të Prokurorit të Shtetit pasi po dyshohet për prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore.

Nën pranga përfundoi edhe një qytetar i cili kishte shpërndarë një video në të cilën pretendonte se një fqinj i tij ishte prekur me coronavirus.

Lajmi ishte demantuar menjëherë nga drejtori i Shëndetësisë në Prizren, Visar Shehu.

Shehu kishte thënë se ai rast nuk ka të bëjë fare me coronavirus, por as me virus të thjeshtë.

Qytetari ishte arrestuar nga Policia e Kosovës pasi dyshohet për incizim të paautorizuar.

Lajme të rreme për coronavirusin u përhapen edhe në Pejë.

Lajmi i parë i rremë ishte përhapur me 14 mars ku disa portale kishin raportuar për persona të infektuar me coronavirus në Pejë.

Pas përhapjes së këtij lajmi, Komuna e Pejës kishte reaguar duke e demantuar dhe duke i siguruar qytetarët e rasti nuk ishte i vërtetë.

Rasti i fundit në Pejë u paraqit dje. Në rrjete sociale u raportua se në lagjen “Karagaq” të kësaj komune është shfaqur një rast me COVID.

Lajmi u demantua nga Drejtoria e Shëndetësisë në Pejë dhe pas tij reagoi menjëherë edhe Prokuroria e Pejës, e cila filloi të gjurmojë për autoret e atij lajmi.

Raportimi i rremë është bërë dukuri gjatë pandemisë në Kosovë edhe pse në fillimin e saj Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kishte bëre thirrje për raportim të saktë dhe të drejtë.

Ky asociacion përmes një komunikate ka njoftuar se i është bashkuar thirrjes së Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ) që mediat të raportojnë me përgjegjësi dhe të shmangin krijimin e panikut të pajustifikuar në publik kur raportojnë për virusin Corona (COVID-19).

Coronavirusi në Kosovë deri me tani ka prekur 598 persona, 16 prej të cilëve kanë vdekur ndërsa deri tani janë shëruar 123 persona.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).