Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abelard Tahiri: Shuarja e Task-Forcës Anti-Korrupsion i ka dhënë një goditje prokurorisë

Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në debatin për drejtësi në ‘Kallxo Përnime’ ka komentuar shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsion nga ana e Qeverisë Hoti.

“Vendimi i fundit i Qeverisë për shuarjen e Task-Forcës të cilët janë hetues që i përgjigjen direkt Prokurorisë Speciale. Pra, atë nuk janë policë hetues që i delegon përgjegjësi i tyre, ata janë që kanë qenë të lidhur me Prokurorinë Speciale për hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe veprimi i Qeverisë Hoti i ka dhënë një goditje bashkëpunimit të mirë”, tha Tahiri.

Tutje ai tha se shuarja e Task-Forcës ka dëmtuar punën e hetimeve në prokurori.

“Tash jemi kthy në pikën që e tha Kreshniku, që tash s’ ka më bashkëpunëtorë as hetues të cilët duhet t’i kryejnë hetimet për prokurorinë, por tash e kemi në një moment më të shthurur”, tha Tahiri.

 

Më 19 tetor Qeveria Hoti kishte shuar Departamentin Special Anti-Korrupsion.

Departamenti Special Anti-Korrupsion me qëllim të hulumtimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë ishte themeluar më 26 shkurt të vitit 2010 në kohën sa ishte kryeministër, Hashim Thaçi.

Ky Departament përbëhej nga 8 prokurorë, 5 vendorë, ndërsa 3 të emëruar nga autoritetet e EULEX-it.

Qeveria Hoti shuan Departamentin Special Anti-Korrupsion të themeluar nga Qeveria Thaçi

Në debatin “Kallxo Përnime” po diskutohet për drejtësinë dhe luftimin e korrupsionit. Përballë Jeta Xharrës janë Selim Selimi, ministër në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ish-ministër i Drejtësisë, Shkëmb Manaj, ish-deputet në Kuvendin e Kosovës nga LDK dhe Kreshnik Gashi kryeredaktor i KALLXO.com.