Abelard Tahiri pas dështimit të seancës: Jemi në një kaos parlamentar

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK) Abelard Tahiri ka akuzuar deputetët e pushtetit për papërgjegjshmëri pas dështimit të seancës së sotme të Kuvendit.

Ai ka thënë se legjislativi është tashmë në kaos parlamentar.

“Kjo është reflektim se si është duke u qeverisur vendi sot nga Kurti. Jemi në një kaos parlamentar, jemi në një situatë kaotike”- ka thënë ai.

Tahiri tutje ka thënë Kuvendi është ende duke trajtuar pika të papërfunduara të vitit 2022.

“Jemi në muajin e katërt të këtij viti dhe ne kemi ende pika të papërfunduara të agjendës së viti 2022. Kjo mënyrë e papërgjegjshme e drejtimit të këtij Kuvendi nga kjo mazhorancë duhet ta ketë një fund. Nuk mund të vazhdojë kështu”- ka thënë Tahiri.

Seanca e Kuvendit të Kosovës e paraparë të mbahet sot është shtyrë për një ditë tjetër pas mungesës së kuorumit për të votuar pikat e rendit të ditës.

Seanca është shtyrë për një ditë tjetër të pacaktuar deri më tani, për të cilën kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se deputetët do të njoftohen me kohë.

Fillimisht kjo seancë u shty për dy orë për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve. Megjithatë ligjvënësit nuk u mblodhën as pas më shumë se dy orëve pauzë.

Në mungesë kuorumi dështon seanca e Kuvendit