Foto: PDK

Abelard Tahiri flet për 2023 e PDK-së: Kundërshtuam vendime që vështirësojnë jetën e qytetarëve

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka folur sot në një konferencë të fundvitit për angazhimet e PDK-së gjatë vitit 2023 në Kuvendin e Kosovës.

Tahiri tha se tri nga angazhimet më kryesore të cilat PDK i ka kundërshtuar, e të cilat sipas tij e kanë vështirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës, kanë kaluar me insistimin dhe votën e Lëvizjes Vetëvendosje.

“PDK e ka kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike mbi 115 %. Ne kemi propozuar edhe rezolutë përmes së cilës kemi kërkuar që të rishikohet çmimi i energjisë, që po del të jetë i papërballueshëm për ekonomitë familjare të vendit tonë” – tha Tahiri.

Sipas tij, PDK ka kundërhstuar edhe rritjen e tatimit në pronë, që sipas tij ka rënduar jetën e qytetarëve.

“Çështja e tretë për të cilën PDK ka avokuar dhe të cilën ky pushtet e ka kundërshtuar, është heqja e TVSH-së për produktet esenciale ushqimore. Për të gjitha këto është angazhuar PDK, e të gjitha i ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje, duke rënduar jetën e qytetarëve tanë” – tha mes tjerash Tahiri.

Tahiri gjithashtu ka folur edhe për rezolutën që PDK-së e cila ishte propozuar për të mbështetur Policinë e Kosovës.

“Gjatë këtij viti, vendi ynë është sulmuar nga një grup terrorist nga Serbia, ku kemi parë një reagim tejet profesional të Policisë tonë. Për këtë arsye dhe të tjera, PDK ka propozuar një rezolutë përmes së cilës ka kërkuar që për Policinë tonë të realizohen shtesat, pensionimi i parakohshëm dhe të buxhetohet për vitin tjetër sigurimi shëndetësorë për ta. Fatkeqësisht dhe padrejtësisht, Vetëvendosje e ka kundërshtuar edhe këtë rezolutë” – tha tutje shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Deputeti i PDK-së ka përmendur edhe një numër të ligjeve dhe vendimeve që ka nxjerrë shumica parlamentare në Kuvend, të cilat siç tha ai, kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën.

“I kemi dërguar gjashtë ligje dhe tri vendime të shumicës parlamentare për kontestim në Gjykatën Kushtetuese. Deri më tani, për dy ligje kemi marrë përgjigje pozitive nga Gjykata Kushtetuese ndërsa katër ligje dhe tri vendime priten të procedohen në fillim të vitit tjetër”- ka thënë Tahiri.

Tahiri ka folur edhe për Ligjin e Buxhetit për vitin 2024, i cili, sipas tij, është diskriminues për qytetarët e komunave të cilat nuk udhëhiqen nga partia në pushtet.

“Rreth 50% e buxhetit për investime të reja kapitale ju është ndarë katër komunave të cilat udhëhiqen nga Vetëvendosje. Ky është diskriminim politik, i papranueshëm, sepse Qeveria duhet të jetë për të gjithë qytetarët e vendit”- vlerësoi ai.

Më tej, Tahiri ka kritikuar edhe agjendën parlamentare dhe menaxhimin e punës parlamentare nga shumica parlamentare.

“Agjenda parlamentare është karakterizuar me kaos të plotë. Kanë dështuar me dhjetëra seanca ndërsa herë të tjera, brenda një seance, kanë kaluar mbi 25 ligje. Këtu, vetëm efikasitet nuk ka mundur të ketë. Përkundrazi, kjo e ka dëmtuar jetën parlamentare dhe jetën e qytetarëve tanë”, ka thënë Tahiri.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së tha se do të angazhohen edhe gjatë vitit tjetër “që të ruaj buxhetin e shtetit të Kosovës dhe interesin e qytetarëve tanë”.

Në përmbyllje të punës parlamentare për vitin 2023, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari- Lila ka deklaruar se në 53 seanca të Kuvendit të Kosovës janë miratuar 71 ligje.

Nga 71 ligje, në sesionin vjeshtor janë miratuar 27 ligje dhe 5 marrëveshje ndërkombëtare.