Abazi: Gabim vizita e djeshme e Lajçakut dhe trysnia për mos tërheqjen e licencës për Elektrosever

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi në konferencë për media deklaroi se duhet merrën seriozisht vërejtjet nga raporti i Komisionit Evropian.

Abazi foli kryesisht për evidentimet që ky raport ka bërë në fushën e energjisë.

Deputeti Abazi propozoi që të bëhet ndryshimi i ngrohjes së bojlerëve me rrymë në ngrohje me kongjenerim. Sipas tij, kësisoji zvoglohet deri në 40 për qind kërkesën për energji elektrike.

“Një pjesë e rëndësishme e raportit është sektori i energjisë, raporti thotë që është progres i limituar por Kosova ka mungesë afatgjate të strategjisë së energjisë. Si rezultat i të gjeturave të raportit, nevojitet veprim urgjent për te vendosur Kosovën në binarët e sistemit energjetike të qëndrueshëm. Miratimi i strategjisë sipas agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor; të përfundohen punët për rehabilitimin e Kosovës B për standardet mjedisore dhe të fillojë dekomisonimi i Kosovës A”- tha Abazi.

“Dizajnimi dhe ekzekutimi i planit nacional për efiqencë të përdorimit të energjisë dhe përfshirja e shtëpive private, kjo nënkupton që shteti të përfshijë në planin nacional edhe banorët edhe shtëpitë private, siç është ideja për ndryshimin e bojlerëve që ngrohen me rrymë, në shtëpitë dhe banesat kolektive në Prishtinë nga ngrohja me rrymë, në ngrohje me kongjenerim do të zvogëlonte për 30-40 për qind kërkesën për energji elektrike” – shtoi ai.

Në konferencën javore të tij, Haki Abazi foli edhe për Ballkanin e Hapur dhe për kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Sipas Abazit, kryeministri shqiptar është pjesë e një rrjeti politik të Ballkanit i cili siç thotë ai, po mbahet gjallë nga strukturat ekonomike e financiare të cilët kanë përfituar nga ekonomia e luftës.

Gjithashtu sipas Abazit, fjalimi i kryeministri Rama në këshilin e Evropës edhe qëndrimi i tij për Ballkanin e Hapur e “kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë Kosovën”.

“Ballkani i Hapur ka rënë në një vdekje klinike ndërsa procesi i Berlinit po riaktivizohet, dhe ky është një lajm fantastik. Pse ekziston një qasje e tillë e Ramës dhe Vuqiçit janë 3 arsye; e para Rama nuk e njeh kush në fakt është Vuçiqi, Kryeministri Rama është pjesë e një rrjeti politik të Ballkanit i cili po mbahet gjallë nga strukturat ekonomike e financiare të cilët kanë përfituar nga ekonomia e luftës e pastaj kanë vazhduar edhe me privatizim. Binomi Rama- Vuçiq janë në kundërshtim e një ideje të Ballkanit të barabartë” – u shpreh ai.

Në anën tjetër, lidhur me vizitën e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, në Kosovë, Abazi e quajti gabim, pasi sipas tij nuk duhet ardhur paparalajmërim dhe të bëhet “trysni” për mostërheqjen e licencës për Elektrosever.

“Ardhja në një vizitë të paparalajmëruar bë Kosovë është gabim në mesazhin që jep kjo vizitë, është gabim që të vihet në Kosovë dhe të bëhet trysni për mos tërheqjen e licencës për Elektrosever.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dje ka mbajtur takim me kryeministrin Albin Kurti.

Lajçak ka thënë se vizita është pjesë e komunikimit të rregullt dhe se në takim janë diskutuar dy çështje.

“Ajo se çfarë mund të ju them është se vizita e sotme në Kosovë është pjesë e komunikimit të rregullt, me kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin. I kishim dy tema në agjendën tonë që janë normalizimi dhe vazhdimi i diskutimeve të fundit, që vazhduan edhe me intervenimin e presidentit Macron dhe kancelarit Scholz dhe të sekretarit Blinken. Kemi diskutuar për hapat e radhës”- ka deklaruar Lajçak.

Sa i përket temës së dytë, Lajçak tha se kanë diskutuar për energjinë dhe targat e veturave.

“Tema e dytë e agjendës ishte çështja aktuale, përkatësisht ajo me energjinë dhe ajo e targave të veturave pasi siç e dini afati i fundit është në fund të tetorit dhe është e rëndësishme për ne që të dijmë planet si dhe të shmangim situata të cilat mund të eskalojnë, sepse nuk është në interesin e askujt”- ka thënë Lajçak.

“Kur jemi tek energjia, jemi në proces të konsultimeve. I kam ftuar të gjithë palët e interesuara në Bruksel të hënën të diskutojmë për situatën. Është e rëndësishme për mua që ta sjellë një konkluzion rreth diskutimeve me kryeministrin dhe të për të diskutuar rrugën përpara”- shtoi ai.