Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abazi e pyet Salih Zybën se pse u larguan nga puna Linda Çavdërbasha, Tropika Agaj dhe Valëza Mjeku

Deputeti Haki Abazi ka pyetur deputetin e Lëvizjes Vetëvendsoje, Salih Zybën, lidhur me arsyet e largimit nga puna të Linda Çavdërbashës, Tropika Agajt, si dhe Valëza Mjekut.

Abazi tha se këto tri gra janë larguar nga pozitat e tyre dhe se nuk është dhënë asnjëherë ndonjë arsyetim, teksa shtoi se Zyba nuk ishte deklaruar asnjëherë.

“Tani zotëri Zyba që duket se jeni emëruar si emisar për të kundërshtuar e për të bërë zhurmë, unë kisha dashtë ty me të dëgju duke fol për çështjen e znj.Çavdërbasha si zëvendësministre, se si dhe për çfarë është larguar nga vendi i punës. Për znj.Tropika Agaj, po ashtu që ti nuk e ke thanë asnjëherë asnjë fjalë, e për znj.Valëza Mjeku. Do të thotë janë tri femra që janë largu nga pozitat e tyre pa u thënë asnjëherë asnjë fjalë dhe ti tenton që të krijosh zhurmë se kinse unë paskam ndonjë gjë personale në fjalimin tim”- ka deklaruar Abazi.

“Kam të bëjë me formën e standardeve të reja për të cilin ne kemi zotimin që do t’i përcaktojmë përmbrenda funksionimit të pushteteve të ndara. Pushteti ekzekutiv, legjislativ dhe i drejtësisë janë të ndara, nëse me 51% për dy vite e gjysmë nuk kemi arritë me rregullu cështjen e prokurorisë atëherë jemi kanë të zënë duke bë dosje për njëri tjetrin”- shtoi ai.

Në replikën e tij, deputeti Salih Zyba ka shprehur se i ka ndarë rrugët me Abazin duke shtuar se “rrugët nuk mundemi me ja ndalu njëri tjetrit”, teksa shton se deputeti Abazi për disa çështje mund të ketë të drejtë.

“Ne kemi mujtë me i nda rrugët, por rrugët nuk mundemi me ja ndalu njëri tjetrit. Prandaj në këtë moment deri sa po flet Abazi, disa çështje mundet me i pasë të drejta. Referuar deklarimit të Ferat Shalës se me pica Kamishi po mujka me liru dhe me çu në burg dikën, e kam një pyetje Abazin se mos ka provu me e kërku picën e PDK-së, në këtë rast Bekim Haxhiu se përndryshe kjo pyetje nuk duhet as për zonjën Mihaili e as për juve kryetar sepse debatin ata që e kanë propozu jo pse është në mesin tonë por temat dhe zhurmat nuk duhet të shtrohen kështu”- ka deklaruar Zyba.

Deputeti i LVV-së ka kërkuar nga Abazi të tregojë se kush po i ikën arrestimit nga Policia.

“Asnjë gjë se tha për opozitën ku duhet, unë kërkova emra se kush nuk po ndiqet nga ministri i punëve të brendshme, nëse ka përgjigje se kush është personi që po i ikë arrestimit le të na e thotë”- është kundërpërgjigjur Zyba.

Më tej, Abazi ka dalë sërish në folotore për të replikuar me Zybën, duke i thënë se para se të akuzojnë dikë që nuk po e kryen punën, “duhet të shohim a po i kryejmë punët ne përbrenda”.

“Kur t`më bie puna me hongër pica të PDK-së, besoj që shihemi tjetërkund por po ju them me shumë qartësi zotëri Zyba, mos luaj me fjalë të kota, po flas për çështjet e funksionimit të demokracisë në Parlamentin e Kosovës që është shumë e rëndësishme dhe për funksionimin e Policisë të cilin e ka nën mbikëqyrje Sveçla, e cila është e detyruar të zbatojë vendimet e gjykatës. Para se të akuzojmë dikë që nuk po e kryen punën, duhet të shohim a po i kryejmë punët ne përbrenda”- ka thënë Abazi.

Kuvendi i Kosovës po zhvillon debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.