AAK-PSD vendosin billboard në oborr të shkollës
Një qytetar nga Lipjani ka dërguar foto në adresë të KALLXO.com, ku shihet një billboard i Ramush Haradinajt në një oborr të shkollës.
Sipas qytetarit bilboardi është i vendosur në oborrin e shkollës ‘Vëllezërit Frashëri’ në Lipjan.
“Kosova është tokë shqiptare e lame me gjak. 17 shkurti nuk preket”, shkruan në billboardin e AAK-së, ku shihet edhe fotoja e Ramush Haradinajt.
Fushata zgjedhore ende nuk ka filluar zyrtarisht. Kujtojmë se në kohë fushate , Ligji për Zgjedhje e thotë qartë që partive politike iu ndalohet vendosja e pllakateve të fushatës zgjedhore brenda ose jashtë ndërtesave publike.
“Vendosja e njoftimeve, pllakateve dhe posterëve, ose përndryshe, vendosja e emrave të tyre ose e sloganeve në lidhje me fushatën zgjedhore brenda ose jashtë ndërtesave publike ose godinave, në apo mbi rrugët publike, në shenjat publike të trafikut, brenda ose jashtë hapësirave ose ndërtesave të zëna ose, ndryshe që të shfrytëzohen nga organizatat ndërkombëtare, ose brenda ose në hapësirat private pa lejen e pronarëve ose shfrytëzuesve”, thuhet në nenin 33 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.
Ndërsa Drejtori i Arsimit në Komunën e Lipjanit, Rasim Hasani, në një përgigje për KALLXO.com, tha se nuk ka informata kush e ka vendosur billboardin dhe janë duke vepruar për ta larguar atë.
“Nuk kemi informata se kush dhe si e kanë vendosë atë billbord. Sigurisht nuk është e lejueshme që të vendosen billboarda të fushatës zgjedhore nëpër oborre të shkollave. Jemi duke u marrë që ta largojmë atë. E kemi njoftuar edhe KKZ-në për këtë çështje”, ka thënë Hasani.