Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

AAK nuk pajtohet me projektligjin e qeverisë për vendosjen e çmimeve tavan

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë deklaruar kundër projektligjit për vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazë me arsyetimin se ky projektligj është në kundërshtim më kushtetutën e vendit.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore i propozuar nga Qeveria dëmton rëndë tregun e lirë.

“Ka nevojë për ndryshime substanciale. Ky dëmton interesat dhe funksionimin e të gjitha firmave prodhuese dhe tregtare në Kosovë”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se ministria nuk i ka bindur se ky projektligj është në të mirë të qytetarëve.

Tutje ka shtuar se AAK kanë kërkuar largimin e TVSH-së.

“Ne si AAK kemi kërkuar dhe jemi më shumë për largimin e TVSH-së për produktet bazë sesa për këtë projektligj. Këtë projektligj nuk do ta përkrahim në parim. Ne do ta përkrahim vetëm atëherë kur bëhen ndryshime substanciale. Ne do të votojmë kundër sepse ministrja nuk na ka bindur se shkon në favor të qytetarëve por e dëmton rëndë tregun e lirë”- ka thënë Lekaj.

Edhe partitë tjera opozitare, PDK dhe LDK janë deklaruar kundër këtij projektligji.

Kryetarja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka thënë ky projektligj ndihmon në sistuatat kur ka mungesë të pa pritur apo të vazhdueshme të produkteve themelore.

Sipas saj, Projektligji parash veprime konkrete sidomos në produkte bazike duke përfshirë: drithërat, miellin, grurin, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripen e kuzhinës, vezët e pulës, mishin  e pulës, sheqerin, produktet e higjienës personale, etj.

Projektligji për çmimet tavan, apo masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, që po diskutohet sot në lexim të parë, në Kuvend, po kërkon mbështetjen e deputetëve për miratim.

Qëllimi i kësaj nisme legjislative është që të rregullojë masat mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët, në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg në pajtim me këtë ligji dhe mënyrën e zbatimit të tyre.