AAK me tryezë për sigurinë pas sulmit terrorist në veri, përgëzohet policia e kërkohet ndëshkim për Serbinë

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, organizoi tryezë diskutimi që për temë pati situatën e sigurisë pas sulmit terrorist në veri të vendit më 24 shtator, nga i cili u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Të pranishëm ishin edhe shumë njohës të fushës së sigurisë përfshirë, ish-ministrat e Mbrojtjes, Agim Çeku dhe Rrustem Berisha, e ish-drejtori i Policisë, Sheremet Ahmeti.

Agim Çeku në këtë tryezë u shpreh se përgëzon policinë dhe gjithë spektrin e sigurisë, përfshirë KFOR dhe EULEX për atë me çfarë janë përballur.

Sipas tij, është e qartë që Serbia është sponsorizuese e atij sulmi.

“Është e qartë që Serbia është etiketuar si sponsor dhe është në një pozicion më të dobët sesa para të dielës. Tani është në fazën e shfajësimit nga ky veprim destabilizues. Ka humb edhe besimin e masës mbi atë që mund të sjell ndryshim pozitiv. Mendoj se ne kemi dal faqebardhë, fitues ka qenë një reagim i shpejt e i suksesshëm. Fatkeqësisht kemi paguar një çmim të madh, kemi humb një polic”- u shpreh ai.

Sipas tij, me reagimin e sulmit të datës 24 shtator në Banjskë u pa se Policia dhe Kosova ka potencial.

“U rrit besimi në Policinë tonë, u pa që Kosova ka potencial.  Është parë sa i domosdoshëm është bashkëveprimi me partnerët tanë. Është krijuar një momentum i ri se si ta përmirësojmë sistemin e sigurisë tonë”- shtoi Çeku.

Ai përmendi edhe disa nga shtyllat, sipas tij, për siguri kombëtare.

“E para dhe më e rëndësishmja është politika e jashtme që duhet të jetë aktive dhe bindëse. Apeloj që diplomacia jonë të kryej detyrat e veta në këtë drejtim. Pastaj ushtria, policia, inteligjenca që është kyçe në paralajmërimin e hershëm.  E pesta është plani kombëtar i reagimit.  Këto janë shtyllat që duhet të fuqizohen, të rishikohen nëse janë të sinkronizuara me njëra tjetrën”- u shpreh tutje Çeku.

Derisa, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj theksoi se ajo që ndodhi të dielën e 24 shtatorit është terrorizëm dhe kërkoi ndëshkim për Serbinë.

“Ajo që ka ndodh të dielën është terrorizëm, dhe po ashtu edhe Serbia në bazë të të gjeturave kualifikohet si sponsore e terrorizmit. Sponsorët ndëshkohen dhe është interes i që bashkësia ndërkombëtare ta merr një pozicion që të ndëshkohet Serbia”- shtoi Haradinaj.

Ai theksoi se për këtë sulm terrorist është i nevojshëm një hetim ndërkombëtar.