
A u konsultua ministri Vitia me anëtarët e bordit të Fondit për themelimin e komisionit për intervistim të kandidatëve për drejtor?
Ministri i Shëndetësisë, njëherësh kryesues i bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSH), Arben Vitia, ka marrë vendim për themelimin e një komisioni për pranim për pozitën: Drejtor i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Konkursi i fundit për drejtor të Fondit është shpallur më 27.02.2024.
Komisioni është në përbërje të Naim Bardiqit si kryesues, me anëtarë, Izedin Bytyqi, Elvir Azizi, Mentor Sadiku dhe Petri Bruqi.
Kallxo.com ka pyetur ministrin Vitia nëse ka pasur të drejtë ta marrë këtë vendim pa pasur miratimin me shkrim të anëtarëve të bordit.
Në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se para marrjes së vendimit për themelimin e komisionit për pranim, ministri si kryesues i bordit është konsultuar me shumicën e anëtarëve të bordit përmes telefonit lidhur me përbërjen e komisionit për pranim.
“Të gjithë anëtarët e konsultuar kanë dhënë pëlqimin e tyre për përbërjen e Komisionit. Pas marrjes së pëlqimit, Ministri ka nënshkruar vendimin për themelimin e Komisionit për Pranim. Kjo formë e vendosjes për themelimin e Komisionit është në përputhje të plotë me nenin 41 të Ligjit Nr. 05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative, i cili rregullon formën e marrjes së vendimeve të organeve kolegjiale” – thuhet në përgjigjen e këtij dikasteri.
“Neni 41 thotë: “Vendimet e organit kolegjial merren me votim të hapur që realizohet me zë, me shenja apo çdo formë tjetër të përshtatshme. Vendimet e organit kolegjial mund të miratohen edhe me një procedurë qarkulluese, në rast se asnjë anëtar nuk shpreh kundërshti.” – thuhet tutje në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Mirëpo Ligji (për procedurën e përgjithshme Administrative), neni 41, paragrafi 3 për formën e votimit thotë se: “Procedura qarkulluese sipas paragrafit 1 të këtij neni është procedura e votimit, në të cilën anëtarët votojnë individualisht, me shkrim pa qenë e nevojshme mbledhja e organit kolegjial”.
Kallxo.com ka kërkuar nga kjo Ministri formën e shkruar që anëtarët e bordit kanë votuar, megjithatë deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka kthyer asgjë.
Kallxo.com ka kontaktuar edhe me anëtarët e bordit, Ardian Shefkiun, Afrim Maliqin, Kastriot Meqën, Izet Sadikun, Besnik Fetahun dhe Hekuran Nikçin.
Prej këtyre, Nikçi ka kthyer një përgjigje duke pohuar se ministri (kryesuesi i bordit) është konsultuar me të, një përgjigje të njëjtë e ka dhënë edhe Afrim Maliqi, i cili përmes emailit ka thënë se Vitia është konsultuar me të, anëtarët e tjerë të bordit nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.
Gjithashtu procedura e marrjes së vendimeve të bordit është e përcaktuar edhe me statutin e Fondit më saktësisht neni 12 i tij si dhe me rregullore neni 13.
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është duke funksionuar më shumë se 1 vit me u.d. të drejtorit.
Pozita e drejtorit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor, e ‘padëshiruar’ në Kosovë (kallxo.com)