Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Nënkryetari i Odës së Farmacistëve për Listën e Çmimeve të Barnave: Kemi ankesa dhe mungesë të informatave rreth Vendimit

Që nga dita e shtunë, më 01.02.2025, ka hyrë në fuqi Lista e Çmimeve të Barnave në vend. Kjo ka për qëllim unifikimin e çmimeve të barnave, që ato të blihen njëjtë nga qytetarët në barnatore të ndryshme.

Astrit Haxhijaha, nënkryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovë (OFK), tha se janë duke pranuar ankesa nga farmacistët për mungesë të informatave rreth implementimit të Listës.

OFK nuk po pajtohet me Pikën e 6 të Paragrafit 11 të Ligjit për Çmimin e Produkteve Medicinale, e cila thotë se “për produktet medicinale në qarkullim në Republikën e Kosovës çmimi me pakicë duhet të jetë i vendosur në banderolë, në një vend të dukshëm në ambalazhin e jashtëm sipas aktit nënligjor përkatës në fuqi”.

Oda e Farmacistëve thotë se vendosja e banderolave është detyrim i subjekteve të tjera dhe jo barnatoreve.

“Vazhdimisht kena ankesa nga farmacistët për implementimin dhe mungesën e informatave rreth këtij Vendimi. Paragrafi 6 i Vendimit për unifikimin e çmimeve të barnave është i jashtëligjshëm dhe është i pazbatueshëm. Qe 20 vjet si komunitet farmaceutik vazhdimisht kemi kërkuar unifikimin e çmimeve dhe vjen Ministri i Shëndetësisë për një muaj e nxjerr një Ligj që është i pamundur të implementohet, vetëm e vetëm duke menduar që mund të përfitojë për fushatë.” – tha Haxhijaha për KALLXO.com.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha më 31.01.2025, se janë të vendosur në zbatimin e këtij Ligji, ndërsa njoftoi se për të respektuar atë do të jetë plotësisht i angazhuar Inspektorati Farmaceutik.

Nënkryetari i OFK-së, Astrit Haxhijaha thotë se Inspektorati Farmaceutik nuk është kompetent për këtë.

“Një ditë para hyrjes në fuqi ftohet Inspektorati Farmacetutik për manualin e kontrollit të këtij procesi, të cilët nuk janë kompetent për këtë punë.” – tha ai.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë, sa i përket respektimit të Listës së Çmimeve për Barna dhe në Inspektoratin Farmaceutik, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

OFK sot, më 03.02.2025, në një postim në Facebook ka thënë se kanë pranuar opinion ligjor të Administratës Tatimore të Kosovës, me të cilin sipas OFK-së “konfirmohet se çmimi i produktit duhet të jetë vlera e hapur e tregut, por jo me pak se çmimi i kostos”.

“OFK fton edhe njëherë Ministrinë e Shëndetësisë dhe organet vartëse të saj nga ndërmarrja e veprimeve për stokun, me të cilat dëmtohen barnatoret në implementimin e Vendimeve të kundërligjshme.” – ka thënë ndër të tjera OFK.

Hyrja në fuqi e Listës së Çmimeve të Barnave, Oda e Farmacistëve të Kosovës kërkon zgjatjen e periudhës tranzitore

Kompanitë e distributorëve farmaceutikë ishin ankuar ndaj procesit të unifikimit të çmimit të barnave.

Ata kishin thënë se me uljen – siç e quajnë ata të tepërt të disa çmimeve – do ta kenë të vështirë të mbijetojnë në treg.

Ismail Shurdhaj, kryetari i Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë të Kosovës, kishte renditur disa pasoja që ata parashihnin nga mënyra se si po bëhet ky proces.

Ndër to ishte rrezikimi i ekzistencës së veprimtarisë së tyre, duke rrezikuar kështu edhe furnizimin me barna për pacientët kosovarë dhe varfërim të tregut me produkte cilësore farmaceutike.

Shurdhaj shtoi se shumica e distributorëve kanë nëpër depotë e tyre sasi barnash të cilat i kanë blerë me çmime më të larta, sesa ato që janë përcaktuar në Listën e dytë nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas tij, ky proces mund të sjellë edhe pasoja të tjera, siç janë: humbja e Kontratave me partnerët ndërkombëtarë të biznesit dhe humbja e stafit të Kompanisë.

 

Kompanitë e distributorëve farmaceutikë padisin Ministrinë e Shëndetësisë