
Ministria e Shëndetësisë. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com
Lista e Çmimeve të Barnave: MSH përjashton mundësinë për shtyrjen e afatit të zbatimit të saj
Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK) në fillim të muajit mars ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë pezullimin e Listës zyrtare të Çmimeve të Barnave, e cila hyri në fuqi më 01.02.2025. OFK-ja është shprehur e shqetësuar për mungesën e barnave – përfshirë edhe ato esenciale – pas Vendimit për Çmimet e Barnave.
Zgjatjen e afatit për hyrjen në fuqi të kësaj Liste kishte kërkuar edhe Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale (ShDPFMK), më 05.02.2025.
Por, Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se nuk ka mundësi për shtyrje të afatit të implementimit, anipse ka marrë në konsideratë Kërkesat e SHDPFMK-së.
“Ministria e Shëndetësisë ka marrë në konsideratë Kërkesën e Shoqatës së Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës për shtyrjen e implementimit të Vendimit për nivelizimin e çmimeve të barnave. Megjithatë, Ligji për Çmimin e Produkteve Medicinale, nr. 08/L-220, ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2023 dhe për këtë arsye nuk ka mundësi për shtyrje të afatit të implementimit.” – thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Por, ky institucion thekson se “barnatoret janë të obliguara të shesin barnat me çmimet e përcaktuara nga ky Vendim dhe çdo shkelje e këtij rregulli do të ndëshkohet sipas Dispozitave ligjore, të përcaktuara me Ligjin përkatës”.
Ministria e Shëndetësisë thotë se në kuadër të Vendimit, më 31.01.2025, për përcaktimin e procedurës dhe formatit të aplikimit për deklarimin, rideklarimin dhe ndryshimin e çmimit është hapur mundësia për aplikimet respektive.
“Në kuadër të këtij Vendimi janë hapur afate për deklarimin, rideklarimin dhe ndryshimin e çmimeve të barnave, që kanë për qëllim mundësimin e aplikimit për deklarimin e çmimeve të reja nga të gjitha produktet medicinale.” – thotë MSH-ja.
OFK dhe SHDPFMK përmes reagimeve publike kanë kërkuar disa herë takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia për pretendimet dhe pakënaqësitë e tyre rreth Listës.
Më 01.02.2025, në Kosovë ka nisur së zbatuari Lista e Çmimeve të Barnave në vend.
Ministria e Shëndetësisë, më 23.12.2024, kishte publikuar Listën e Çmimeve të Barnave me detyrim të zbatimit në tregun e Kosovës, nga data 01.02.2025.
Kompanitë e distributorëve farmaceutikë ishin ankuar ndaj procesit të unifikimit të çmimit të barnave. Ata kishin thënë se me uljen – siç e quajnë ata – të tepërt të disa çmimeve, do ta kenë të vështirë të mbijetojnë në treg.
Oda e Farmacistëve të Kosovës nuk po pajtohet me Pikën e 6 të Paragrafit 11 të Ligjit për Çmimin e Produkteve Medicinale, e cila thotë se “për produktet medicinale në qarkullim në Republikën e Kosovës çmimi me pakicë duhet të jetë i vendosur në banderolë, në një vend të dukshëm në ambalazhin e jashtëm – sipas Aktit Nënligjor përkatës në fuqi”.
Oda e Farmacistëve thotë se vendosja e banderolave është detyrim i subjekteve të tjera dhe jo i barnatoreve.
Kompanitë e distributorëve farmaceutikë padisin Ministrinë e Shëndetësisë