Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Oda e Farmacistëve të Kosovës kërkon nga MSH-ja pezullimin e Listës së Çmimeve të Barnave

Oda e Farmacistëve të Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë pezullimin e Listës së Çmimeve të Barnave, e cila hyri në fuqi më 01.02.2025.

OFK-ja është shprehur e shqetësuar për mungesën e barnave – sipas tyre duke përfshirë edhe ato esenciale – pas Vendimit për Çmimet e Barnave.

Ky institucion ka thënë se është duke pasur presion nga anëtarët e saj dhe qytetarët për problemet që po hasen në mungesë të barnave esenciale.

“Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK) shpreh shqetësimin e thellë lidhur me mungesën e barnave – përfshirë ato esenciale në sektorin publik dhe privat – që ka shkaktuar krizë në Sistemin shëndetësor dhe po cenon shërbimin cilësor shëndetësor të qytetarëve – krizë kjo që ka lindur si pasojë e Vendimit të Ministrit të Shëndetësisë për Çmimin e Barnave.” – thuhet në reagimin e tyre.

Oda e Farmacistëve të Kosovës një ditë para hyrjes në fuqi të Listës së Çmimeve të Barnave kishte kërkuar zgjatjen e periudhës tranzitore. Kërkesë kjo e cila nuk u mor parasysh nga Ministria e Shëndetësisë.

Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kishe thënë se pret një “tronditje të lehtë” të tregut, por që tha se janë të vendosur në zbatimin e Ligjit.

Edhe pas hyrjes në fuqi të Listës së Çmimeve për Barna Astrit Haxhijaha, nënkryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovë (OFK), kishte thënë se janë duke pranuar Ankesa nga farmacistët për mungesë të informatave rreth implementimit të Listës.

OFK nuk po pajtohet me Pikën 6 të Paragrafit 11 të Ligjit për Çmimin e Produkteve Medicinale, e cila thotë se “për produktet medicinale në qarkullim në Republikën e Kosovës çmimi me pakicë duhet të jetë i vendosur në banderolë, në një vend të dukshëm në ambalazhin e jashtëm – sipas Aktit Nënligjor përkatës në fuqi”.

Oda e Farmacistëve thotë se vendosja e banderolave është detyrim i subjekteve të tjera dhe jo barnatoreve.

Kompanitë e distributorëve farmaceutikë padisin Ministrinë e Shëndetësisë