Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Hyrja në fuqi e Listës së Çmimeve të Barnave, Oda e Farmacistëve të Kosovës kërkon zgjatjen e periudhës tranzitore

Oda e Farmacistëve të Kosovës e ka quajtur të paimplementueshëm formën aktuale të Listës së Çmimeve të Barnave e cila pritet të hyjë në fuqi nesër (01.02.2025).

OFK ka thënë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka njoftuar barnatoret për mënyrën e zbatimit të këtij vendimi përkundër kërkesës nga ta për sqarime.

“Ministria e Shëndetësisë edhe sot një ditë para implementimit të këtij vendimi, ende nuk ka njoftuar asnjë barnatore për mënyrën e zbatimit të këtij vendimi, duke bërë të pamundur implementimin e këtij procesi të përcaktimit të çmimit të barnave të kërkuar nga ana e farmacistëve tash e 20 vite”- thuhet në komunikatë.

Oda e Farmacistëve të Kosovës ka kërkuar sqarime nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me “barnatoret të cilat nuk kanë deklaruar çmimin e produkteve apo mbi çfarë legjislacioni AKPPM do të bëjë shtypjen e banderolave të stokut aktual të barnatoreve dhe depove, dhe cilat dokumente duhet dorëzuar  nga barnatoret dhe se çfarë të veprohet me stokun aktual”.

OFK ka ftuar Ministrinë e Shëndetësisë për zgjatjen e periudhës tranzitore për stokun farmaceutik.

“OFK, fton Ministrin e Shëndetësisë të përmbahet nga veprimet të cilat mund të sjellin në ndërmarrjen e masave të padëshiruara nga ana e farmacistëve dhe barnatoreve për të cilat do të kenë përkrahjen e OFK-së në kundërshtim të paligjshmërisë së vendimet dhe dëmit që i shkaktohet me këtë vendim”-thuhet në komunikatën e Odës së Farmacistëve.

Nga nesër, më 01.02.2025, në Kosovë do të hyjë në fuqi dhe do të nisë së zbatuari Lista e Çmimeve të Barnave në vend.

Ministria e Shëndetësisë, më 23.12.2024, kishte publikuar Listën e Çmimeve të Barnave me detyrim të zbatimit në tregun e Kosovës, nga data 01.02.2025.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha sot (31.01.2025) se pret një “tronditje të lehtë” të tregut, por që tha se janë të vendosur në zbatimin e Ligjit.

Vitia përmendi se është një pjesë e kompanive, distributorëve dhe bartësve të Autorizim Marketingut të cilët nuk kanë paraqitur çmimet e barnave të tyre, për të cilët ministri tha se do të ketë sanksione.

“Është interesant se ky shqetësim do të duhej të vinte nga Shoqata e Distributorëve më shumë sesa nga Oda e Farmacistëve. Po, është e vërtetë që një pjesë e kompanive, distributorëve, bartësve të Autorizimit të Marketingut nuk kanë aplikuar në Dritaren për aplikim për Çmimet e Barnave dhe natyrisht se do të merren masa adekuate sipas Ligjit në fuqi. Do të bëhen sanksione ndaj tyre, që nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë dhe hapjen e kësaj Dritareje. Por, në anën tjetër do të hapen Dritare të reja për të gjitha kompanitë, që të aplikojnë për Çmimet e Barnave të tyre” – tha ai.

Kompanitë e distributorëve farmaceutikë ishin ankuar ndaj procesit të unifikimit të çmimit të barnave.

Ata kishin thënë se me uljen – siç e quajnë ata – të tepërt të disa çmimeve, do ta kenë të vështirë të mbijetojnë në treg.

Ismail Shurdhaj, kryetari i Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë të Kosovës, kishte renditur disa pasoja që ata parashohin nga mënyra se si po bëhet ky proces.

Ndër to ishte rrezikimi i ekzistencës së veprimtarisë së tyre, duke rrezikuar kështu edhe furnizimin me barna për pacientët kosovarë dhe varfërim të tregut me produkte cilësore farmaceutike.

Shurdhaj shtoi se shumica e distributorëve kanë nëpër depotë e tyre sasi barnash të cilat i kanë blerë me çmime më të larta, sesa ato që janë përcaktuar në listën e dytë nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas tij, ky proces mund të sjellë edhe pasoja të tjera, siç janë: humbja e Kontratave me partnerët ndërkombëtarë të biznesit dhe humbja e stafit të Kompanisë.

Ata e kishin cilësuar si të padrejtë edhe ndryshimin e Formularit për deklarim të çmimit, i cili më parë përfshinte: çmimin e importit CIP – përfshirë vlerën e marzhës së qarkullimit me shumicë dhe shpenzimeve të tjera vartëse, jo më shumë se 7.5%.

Kompanitë e distributorëve farmaceutikë padisin Ministrinë e Shëndetësisë