Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

A do të diskutohet të hënën në Bruksel hapja e urës së Ibrit, flet Kurti

“5 fjali në preambulë, 11 në marrëveshjen bazë, 12 pika në aneksin e zbatimit, dhe kjo duhet të ketë implementim të plotë pa vonesa dhe pa kushte, kjo është ajo që do diskutohet në takimin e radhës në Bruksel”.

Kështu është përgjigjur kryeministri Albin Kurti, kur është pyetur nga gazetarët nëse hapja për qarkullimin e automjeteve e urës së Ibrit në Mitrovicë, do të diskutohet në takimin e së hënës në Bruksel në mes të krynegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.

Tutje Kurti theksoi që zbatimi i marrëveshjes së Brukselit e ankesit të Ohrit duhet të bëhet “pa kushte, pa vonesa të zbatohen në mënyrë të plotë”.

“Pra synimi i takimit të radhës do të jetë pikërisht ky, negociata për zbatim të sekuencuar”- tha Kurti.

Dje në Kosovë ka qëndruar emisari i BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak i cili ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti në kryeministri për të vazhduar pastaj në qytetin e Mitrovicës.

Duke kaluar në urën e Ibrit e cila ndanë Mitrovicën në atë veriore dhe jugore, Lajçak ka thënë se hapja e kësaj ure duhet të arrihet përmes dialogut.

“Besoj që gjithçka që përfshin të dy palët duhet të merret vesh po nga të dy palët. Ura e Mitrovicës ka qenë pjesë e dialogut prandaj unë mendoj që vendimi për hapjen duhet në dialog. Kjo është shumë e rëndësishme. Prandaj po e  përsëris gjithmonë që dialogu  duhet të përdoret si platformë për marrëveshje.”– ka thënë dje Lajçak.

Asamblistët e Komunës së Mitrovicës së Veriut miratuan kërkesën për hapjen e urës më 28 prill.

Deri më tani nuk është bërë e ditur se si dhe kur mund të zbatohet ky vendim.

Ura mbi lumin Ibër apo “rivitalizimi i urës” ka qenë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Palët kishin rënë dakord që ura të ishte e hapur për qarkullim.

Por, në praktikë kjo nuk ndodhi kurrë dhe vetëm njëra anë u hap për këmbësorët.

VIDEO – Mirosllav Lajçak e kalon në këmbë “Urën e Ibrit” në Mitrovicë