Emisarin i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak e kalon në këmbë “Urën e Ibrit” në Mitrovicë. FOTO: KALLXO.com

VIDEO - Mirosllav Lajçak e kalon në këmbë “Urën e Ibrit” në Mitrovicë

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak e ka kaluar sot në këmbë “Urën e Ibrit” në Mitrovicë.

Ashtu siç kishte njoftuar, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, vizitoi edhe Mitrovicën dhe pjesën veriore të vendit, siç ka thënë ai “për të parë nga afër situatën”

Lajçak foli para mediave edhe për çështjen e hapjes së plotë për qarkullim të urës mbi lumin Ibër.

“Besoj që gjithçka që përfshin të dy palët duhet të merret vesh po nga të dy palët. Ura e Mitrovicës ka qenë pjesë e dialogut prandaj unë mendoj që vendimi për hapjen duhet në dialog. Kjo është shumë e rëndësishme. Prandaj po e  përsëris gjithmonë që dialogu  duhet të përdoret si platformë për marrëveshje.”– tha Lajçak.

Ai u shpreh se dëshiron që hapja e urës të jetë kontribut për stabilitet të madh.

Pasi u prit nga kryetari i Mitrovicës Veriore, Bedri Hamza, ai ka kaluar Urën e Ibrit, për të dalë në veri ku më pas është takuar me Dusan Radakoviq dhe Miodrag Miliçiç nga organizata joqeveritare  (OJQ) “Aktiv” në Mitrovicën Veriore.

Asamblistët e Komunës së Mitrovicës së Veriut miratuan kërkesën për hapjen e urës më 28 prill.

Gjashtëmbëdhjetë asamblistët e kësaj komune u zëvendësuan dhjetorin e vitit të kaluar, pasi asamblistët paraprakë dhanë dorëheqje, si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, në shenjë proteste me vendimin e Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës.

Deri më tani nuk është bërë e ditur se si dhe kur mund të zbatohet ky vendim.

Ura mbi lumin Ibër apo “rivitalizimi i urës” ka qenë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Palët kishin rënë dakord që ura të ishte e hapur për qarkullim. Por, në praktikë kjo nuk ndodhi kurrë dhe vetëm njëra anë u hap për këmbësorët.