917 punëtorë kanë aplikuar deri më tash për të përfituar nga masat e Pakos për Ringjallje Ekonomike

Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë të ditur se deri me sot për përfitimin nga masat 1.1,1.2,1.3 të Qeverisë së Kosovës, kanë aplikuar 344 biznese e 917 punëtorë.

‘’Lidhur me Pakon për Ringjallje Ekonomike ATK ka përgjegjësi në zbatimin e masave 1.1, 1.2 dhe 1.3, për të cilat deri më tani kanë aplikuar 344 biznese për 917 punëtorë”, thuhet në njoftimin e publikuar nga ATK.

Sipas statistikave numri më i madh i aplikacioneve është për masën numër 1.3, Mbështetja e Punësimit të Grave.

Sipas vendimit të datës 29 korrik, masa 1.3 parasheh mbulimin e 50% të pagës së të punësuarit.

‘’Për masën 1.3, Mbështetja e Punësimit të Grave, për të cilën do të bëhet subvencionim i pagës deri në 50% të pagës bruto mujore për 3 muaj, ndërsa pas përfundimit të periudhës tremujore subvencionohen kontributet pensionale për muajt e mbetur, konform kritereve dhe kufizimeve të përcaktuara me vendimin për zbatimin e masës 1.2 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve nr. 40/2021, të datës 29 korrik 2021’”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

ATK-ja ka publikuar edhe informatat për masën 1.1 të kësaj pakoje.

‘’Ndërsa, për masën 1.1 Rikthimi në Punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë, do të bëhet subvencionim i pagës deri në 50% të pagës mujore bruto për 3 muaj (maksimum deri në 170 € bruto), si dhe masa 1.2 Mbështetja për të Punësuarit e Formalizuar, do të bëhet subvencionim i kontributit pensional në vlerë prej 10% të pagës bruto mujore për më së shumti 12 muaj, duke filluar nga muaji korrik 2021 deri në muajin qershor 2022”, thuhet nga ATK.

Të drejtë aplikimi kanë të gjitha shoqëritë tregtare të regjistruara dhe punëdhënësit sipas legjislacionit të Kosovës, dhe afati i fundit për aplikim është data 15 tetor 2021 në orën 24:00, ndërsa udhëzuesi për aplikim për subvencionim gjendet në faqen ueb-faqen e ATK-së.