84 punëtorë të marketit në Mitrovicë do të testohen për COVID-19

Punëtoret e marketit në Mitrovicë ku u shfaq rasti i parë me COVID-19 në Mitrovicë, do të testohet.

Testimi të përfshijë rreth 84 punëtorë dhe 12 familjarë të vajzës së infektuar me COVID-19.

Drejtoresha e Qendrës rajonale të shëndetit publik në Mitrovicë Teuta Fejza ka bërë të ditur sot gjatë
mbajtjes së mbledhjes së jashtëzakonshme se tashmë janë marrë kontaktet e të infektuarës.

“Sot herët në mëngjes para orës 8:00 jemi takuar me menaxherin e marketit, i kemi marrë të gjitha rastet
e kontaktit të punëtorëve, ku gjithsej ishin 84 punëtorë, si dhe familjarët e vajzës dhe të fejuarit të saj.
Ekipi ynë tani është në përgatitje të listës për institutin kombëtar, shpresoj së shpejti do të testohen të
gjithë..”, ka thënë Fejza.

Tutje Fejza ka thënë se u janë dhënë rekomandime tek të dy familjet, pastaj secilit punëtor të ETC-së, që
të qëndrojnë në vetizolim dhe të presin për testime.

Ndërsa Erseka Barani, drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetësisë në Mitrovicë, bëri të ditur se komuna,
përkatësisht Drejtoria të cilën e udhëheqë ajo, do të përkujdeset për rastet të cilat dalin pozitivë dhe
nuk janë të hospitalizuar, duke ju ofruar atyre pako mjekësore, ushqimore dhe gjithçka tjetër për të cilën
shfaqet nevoja.

“Ne si shtab emergjent do të përkujdesemi edhe për rastet të cilat dalin pozitivë dhe nuk janë të
hospitalizuar, por janë të vetizoluar nëpër shtëpitë e tyre. Do të përkujdesemi që t’u dërgojmë pako
mjekësore, dhe për çka do që ata kanë nevojë, njëkohësisht edhe pako ushqimore të cilat ju duhen”, tha
Barani.

Kurse drejtori i stacionit policor në Mitrovicë Ahmet Xhosha,tha se me të marrë informatën mbrëmë në
ora 23:00, janë caktuar menjëherë njësitet policore afër shtëpive të familjarëve, që të kujdesen, në
mënyrë që të mos ketë lëvizje dhe hyrje dalje të tyre.

Ai ka kërkuar nga qendra rajonale e shëndetit publik, që sa më shpejtë ta përgatisë listën e plotë të të
gjithë punëtorëve dhe familjarëve që ndodhen në vetizolim, në mënyrë që ata të kontaktohen në
kontinuitet.

Deri më tani në Kosovë janë 806 persona të infektuar me COVID-19, 271 janë shëruar dhe 22 kanë
vdekur.