Ilustrim: Një viktimë e dhunës, Foto: Pixaby

7 raste të dhunës në familje, arrestohen 5 të dyshuar

Në raportin e Policisë së Kosovës janë raportuar 7 raste të dhunës në familje që nga data 1 nëntor, nga të cilat janë arrestuar 5 të dyshuar.

Prej tyre, 5 raste kanë ndodhur në Prishtinë, një në Podujevë dhe një në Drenas.

Shumica e tyre është raportuar nga gra dhe vetëm njëri prej tyre është raportuar nga një burrë.

Në Podujevë një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga burri i saj dhe ajo ka pranuar trajtim mjekësor.

Rasti ka ndodhur më 1 nëntor, në ora 18:00. I dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Drenas, një grua ishte raportuar më 24 tetor se ishte larguar nga shtëpia rreth orës 19:30, ndërsa më datën 2 nëntor pasi Policia kishte publikuar fotografinë e saj në faqen zyrtare gruaja ishte paraqitur në stacionin policor të Ferizajt.

Sipas Policisë, gruaja ka deklaruar se largimi i saj nga shtëpia kishte ndodhur si rezultat i një fjalosjeje me burrin e saj, ku i njëjti e kishte kanosur dhe i kishte kërkuar të largohej nga shtëpia.

“Me kërkesën e viktimës , ajo është dërguar në strehimore, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia.

Kurse, në Prishtinë një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga një burrë, me të cilin ka qenë duke bashkëjetuar.

Rasti ka ndodhur më 1 nëntor, në ora 04:00. Gruaja ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër që ka ndodhur në Prishtinë e ku është arrestuar një i dyshuar pasi ka ushtruar dhunë psikike ndaj gruas së tij.

Rasti ka ndodhur më 2 nëntor, në ora 15:00. Sipas vendimit të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një i dyshuar tjetër është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht gruan e tij. Ky rast ka ndodhur në Prishtinë më 2 nëntor, në ora 20:11.

Si pasojë e sulmit fizik, gruaja ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar trajtim mjekësor.

Ndërsa, një rast tjetër është raportuar nga një burrë se ka pasur dhunë psikike në vazhdimësi nga ish-gruaja e tij.

Rasti ka ndodhur në Prishtinë, më 2 nëntor në ora 19:20.

“Lidhur me rastin është intervistuar e dyshuara kosovare dhe me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

Dhunë fizike dhe psikike ka ushtruar një burrë ndaj gruas së tij, e cila e ka raportuar rastin dhe deri më tani nuk është hasur i dyshuari.

Rasti ka ndodhur më 2 nëntor, në ora 22:30 dhe vazhdon në hetime.