Foto: Kosovo Police / Facebook

4 raste të sulmit dhe kanosjes ndaj policëve në 24 orët e fundit

Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit në Kosovë janë raportuar 4 raste të sulmit dhe të kanosjes ndaj policëve, në komunat si Prishtinë, Klinë, Zubin Potok dhe Gjakovë.

Në Prishtinë, dje rreth orës 16:15 është arrestuar një person, pasi i njëjti pasi është ndaluar në një pikë kontrolli për një kundërvajtje, ka kanosur me jetë tre zyrtarë policor. Me vendim të prokurorit rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Në komunën e Klinës, dje rreth ors 19:30  derisa njësiti policor gjatë inspektimit të masave anti-COVID, në një lokal ka hasur disa persona brenda. Dy policë janë sulmuar fizikisht nga ty persona, të cilët ishin pronarët e lokalit. Njëri prej policëve ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa dy të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Në Zubin Potok, është raportuar se derisa patrulla e policisë ishte duke vizituar lokalet për zbatim të vendimit të Qeverisë, në një lokal i cili ishte hapur pas orarit të caktuar, kënë hasur në një femër nën ndikim të alkoolit, e cila duke mos i respektuar urdhërat i ka ofenduar verbalisht policët. Me vendim të prokurorit e dyshuara është ndaluar deri në këndellje dhe pastaj do të dërgohet para Gjykatës.

Në Gjakovë, mbrëmë rreth orës 21:20, në një pikë kontrolli Policia ka ndaluar një veturë, në të cilën drejtuesi nuk ka respektuar urdhërat e policëve për vendosje të maskës gjatë kontaktit me ta. Gjatë shqiptimit të një tikete, sipas Policisë, i dyshuari ka dalë nga vetura duke tentuar ta godasë një polic. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.