COVID-19 Rezultatet

COVID-19 Ilustrim - Naser Fejza

301 vdekje gjatë prillit me COVID-19, mosha mesatare 70 vjeç

Për 30 ditë në Kosovë kanë vdekur 301 persona që ishin të infektuar edhe me SARS-CoV-2.

Sipas parallogaritjeve, del se mosha mesatare e personave të vdekur me COVID-19 në nivel vendi është 70 vjeç. Kjo e konfirmon edhe një herë atë që është thënë edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, por edhe nga ekspertë të shumtë mjekësor, se moshat e shtyra janë më të rrezikuara, e kjo në radhë të parë për shkak se ata mund të vuajnë edhe nga probleme tjera shëndetësore, çka e vështirëson përballjen me COVID-19.

Nga të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, brenda 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar 11 vdekje të personave që ishin të infektuar me coronavirus, në mesin e tyre është një person 37 vjeç nga Podujeva, ndërsa mosha e personave të tjerë ishte nga 60 deri në 90 vjeç.

Më 15 prill është shënuar numri rekord i të vdekurve me coronavirus për këtë muaj, pasi për 24 orë, 17 persona u bënë pjesë e listës së personave që nuk mbijetuan betejën me virusin. Në këtë ditë personi më i ri i vdekur ishte një 51 vjeçar nga komuna e Prishtinës.

Por, kishte edhe ditë të tjera ku numri i rasteve të vdekjeve kaloi mbi 10 persona. Më 7 prill kanë vdekur 14 persona, më 1, 3, 8 dhe 11 prill brenda 24 orëve janë shënuar nga 12 vdekje.

Numër i lartë i të infektuarve me SARS-CoV-2 është regjistruar edhe këtë muaj.

Në muajin prill në nivel vendi janë regjistruar 14,758 raste pozitive me COVID-19. Numri rekord i rasteve pozitive janë regjistruar në ditën e parë të këtij muaji, më 1 prill plotë 975 raste rezultuan pozitive nga 5,010 mostra sa ishin testuar gjithsej.

Prilli, shënon numër më të ulët të rasteve aktive. Në fillim të muajit ishin mbi 13 mijë raste të tilla, ndërsa sot të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik flasin për 8,841 raste aktive.

Vaksinimi i qytetarëve

Dje janë bërë një muaj që kur Institucionet Shëndetësore në vend filluan dhënien e vaksinës ‘AstraZeneca’, kundër COVID-19.

Nga të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë të bëra publike ditën e djeshme, thuhej se 23,950 persona janë vaksinuar në gjithë vendin, përderisa në proces kanë mbetur vetëm edhe 50 vaksina ‘AstraZeneca’.

Kosova kontingjentin e parë të vaksinave e mori donacion nga UNICEF i programit të COVAX nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Mirëpo, sipas Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, shumë shpejtë në Kosovë do të arrijnë mbi 76 mijë vaksina anti – COVID. Vitia premtimin ‘shumë shpejtë’ nuk e ka konkretizuar me ndonjë datë. Kosova, nga programi COVAX ka përfituar 100,800 vaksina dhe këto 76 mijë që pritet të vijnë, janë po nga ky program.

23,950 qytetarë janë vaksinuar deri dje me ‘AstraZeneca’