19 oficerë policie e 10 civilë u lënduan në përplasje me huliganët në Tiranë

Policia njoftoi ndalimin e 48 tifozëve të Romës dhe 12 të Fejnordit, pas një sërë incidentesh të dhunshme në qendër të qytetit në prag të finales së “Conference League”.

19 oficerë të policisë dhe 10 civilë u lënduan të martën në mbrëmje pas përplasjeve të forcave rë rendit ne huliganë të Romës dhe Fejnordit dhe disa incidenteve në baret e Tiranës.

Policia njoftoi në mesnatë, pas një sërë incidentesh që filluan rreth orës 20.00, se 60 tifozë, 48 të Romës dhe 12 të Fejnordit u ndaluan. Policia tha se përplasjet ndodhën ndërsa tifozeritë tentuan të ndesheshin me njëra tjetrën.

“Sonte në mbrëmje, një grup tifozësh kanë lëvizur në drejtim të stadiumit “Air Albania” dhe sipas informacioneve tentonin të përplaseshin me një grup tifozësh të skuadrës tjetër”, tha policia në një deklaratë për mediat.

“Një grup tjetër tifozësh, të skuadrës së Romës, kanë lëvizur në drejtim të urës së DVP Tiranë ku dhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë duke përdorur gurë, shishe e shkopinj”, njoftoi policia.

Ndërkohë 80 tifozë italianë u deportuan menjëherë për në Itali përmes portit të Durrësit.

Situata ishte paralajmëruar për shkak të historisë mes dy tifozerive dhe përplasjeve të ngjashme gjatë gjysmëfinaleve. Policia e Shtetit megjihatë pretendoi se kishte marrë masa për të ndaluar incidentet, ndërsa dita e finales u shpall ditë pushimi për kryeqytetin dhe qendra u bllokua për makinat.

Finalja e “Conference League” është e para e këtij lloji në Tiranë dhe mijëra tifozë priten ende të mbërrijnë të mërkurën.

Në njoftimin e fundit policia bëri apel bareve të Tiranës të mos shesin alkool në shishe dhe u kërkoi tifozëve të dy ekipeve të silleshin si “qytetarë europianë”. Policia po ashtu ritheksoi dënimet e rënda për shkeljet.