Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

11 raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit

11  raste të dhunës në familje janë shënuar gjatë ditës së djeshme në Kosovë.

Tre raste kanë ndodhur në Gjakovë, dy në Fushë Kosovë, një në Prishtinë, një në Drenas, një në Dragash, një në Istog, një rast në Pejë dhe një në Mitrovicë.

Një grua në Gjakovë ka raportuar në Policinë e Kosovës se është keqtrajtuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Sipas raportit policor, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë trajtim mjekësor si dhe i është ofruar urdhër mbrojtje nga gjykata.

Ndërkaq i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Për një rast tjetër në Kosovë, Policia njofton se ka arrestuar një person nën dyshimin se i njëjti e kishte keqtrajtuar fizikisht motrën e tij.

I dyshuari sipas Policisë, gjatë intervistimit e ka mohuar të ketë sulmuar motrën e tij.

Në konsultim me prokurorin i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt dhe rasti është duke u hetuar, thuhet në raportin policor.

Një rast tjetër i dhunës në familje raportohet të ketë ndodhur po ashtu në Gjakovë. Forcat e rendit kanë arrestuar një person nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një grua shqiptare, shtetase e huaj me të cilën ka qenë në bashkëjetesë.

Policia njofton se në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Në Fushë Kosovë, Policia ka arrestuar një person nën dyshimin se ka shkuar në vendin e punës së një gruaje.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë rrugës pas një mosmarrëveshjeje në mes tyre i kishte shkaktuar dhunë fizike dhe psikike.

Pas intervistimit të palëve në konsultim me prokurorin i dyshuari është dërguar në mbajtje, thuhet në raportin policor.

Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar gjithashtu në Fushë Kosovë.

Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili dyshohet se në mënyrë sistematike ka ushtruar dhunë psikike dhe ka kërcënuar bashkëshorten e tij.

Në lidhje me rastin, Policia njofton se është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Në Prishtinë, Policia e Kosovës dje ka arrestuar një person nën dyshimin se me datën 13 mars 2022, pas një mosmarrëveshje e kishte sulmuar fizikisht nënën e tij.

Sipas Policisë, viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërkaq i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një fjalosje mes një burri dhe djali të tij është raportuar në Drenas.

Sipas njoftimit të Policisë, viktima nuk ka dëshiruar tretman mjekësor pasi nuk ka pasur lëndime.

Pas intervistimit të palëve në konsultim me prokurorin rasti shkon në procedurë të rregullt, thuhet në raportin policor.

Në Dragash një person ka raportuar në Policinë e Kosovës se pas një zënke me xhaxhain e tij, ky i fundit e kishte goditur me gyp uji.

Sipas raportit policor viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka marrë tretman mjekësor, ndërkaq i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Forcat e rendit kanë arrestuar një person në Istog nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij për të cilën Policia njofton se i ka shkaktuar lëndime.

Sipas raportit policor, viktimës i është ofruar tretman mjekësor. Ajo gjithashtu është intervistuar në prezencë të punëtorëve të Qendrës për Punë Sociale dhe është liruar.

Ndërkaq, i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Një rast i dhunës në familje është raportuar në Pejë, ku Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj kunatës së tij.

Sipas raportit të Policisë, viktima ka shkuar tek familja e saj, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit, pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Në Mitrovicë, Policia ka arrestuar një person i cili dyshohet se në gjendje të dehur ka sulmuar fizikisht një grua të cilës sipas raportit policor, i ka shkaktuar lëndime.

Sipas Policisë, viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.