Laborantët e FSHMN-së kërkojnë ndërrimin e statusit të punës

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi sot është takuar me laborantët e Fakultetit të Shkencave Matematiko- Natyrore, Departamenti i Kimisë.

Laborantët në kuadër të Universiteteve Publike të Kosovës kanë kërkuar nga Komisioni që të punohet më shumë për këtë pozitë, pasi sipas tyre ata po cilësohen si staf administrativ- nëpunës civil dhe jo arsimor.

Sipas tyre për të gjithë punën që e bëjnë duhet të raportojnë te sekretari dhe jo te personi kompetent brenda universitetit.

Arta Rudi, laborante në Universitetin e Prishtinës tha në komision se kërkesat e tyre janë prej vitit 2005 dhe ende nuk akne gjetur zgjidhje.

Rudi tha se ky grup laborantësh po kërkon të ketë statusin e njëtë sikur ta laborantëve në Rajon dhe të mos cilësohen si staf administrativ, por si arsimor.

“Prej vitit 2005 kemi kërkuar pozitat dhe kohëve të fundit detyrat t’i marrim nga profesorët e asistentët, e përgjegjësitë e kemi marrë nga sekretari, i cili nuk duhet të ketë atë pozicion, ne kemi bërë përpjekje që të hyjë në ligjin për arsimit dhe të tregohet që laborantët e FSHMN nuk janë staf administrativ por staf profesional. Me kërkesë të dekanëve laboranti ka kërkuar që të punohet në sallat e laboratorëve dhe ka kërkuar te këshilli i universitetit të punohet në orar të mësimit dhe në anën tjetër na jemi ende staf administrativ”, tha Rudi.

Edhe laboranti i gjeo-shkencave në Universitetin në Mitrovicë, Afrim Qela, tha se trajtimi që po ju bëhet laborantëve nuk është i drejtë.

“Ne po trajtohemi si nëpunës civil, nuk është e drejtë dhe kërkesat tona janë që ne të hyjmë në ligjin për arsimin e lartë si staf arsimor profesional dhe kërkojmë nga ju si komision që në kuadër të ligjit për arsimin e lartë në ndonjë nen të rregullohet”

Anëtari i komisionit, deputeti, Driton Çaushi tha se nga kërkesat që i kanë pasur me laborant janë dakorduar që të hyjnë si kategori e veçantë në ligjin për arsimin e lartë sepse me dy kategoritë që ky ligj i ka tashmë nuk janë të përshtatshme.

“Ne jemi takuar më një grup prej jush javën e kaluar, ne kemi diskutuar dhe jemi dakorduar që mundësia e vetme ka mbet ligji për arsimin e lartë, në këtë ligj nuk ka mundësi tjetër përveç se të trajtoheni ose si nëpunës civil administrativ ose arsimor, de duhet t’i shohim siç është në Rajon e më larg, Gjermani e tutje dhe mendoj se duhet të shtohet edhe një kategori në ligjin për arsimin e lartë dhe të rregullohet, pra të mos ketë të bëjë as me staf administrativ dhe as me arsimor, në Rajon në disa modele ekziston mundësia që në kuadër për arsimin e lartë të jetë edhe kategoria ‘asistent teknik’, tha Çaushi.

Kryetari i komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Ismajl Kurteshi tha para laborantëve se ky komision do të mundohet ta zgjidhë këtë problem.

Ai u zotua se brenda dhjetë ditëve do të takohet me Ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi dhe dekanët e Universiteteve Publike për të diskutuar një mundësi zgjidhjeje sa më të përshtatshme për të gjithë dhe ky problem të përfundojë përgjithmonë.

11 Shkurt 2019 - 15:08

Drenushë Ramadani 11/02/2019 - 15:08
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend