Greva në arsim e padrejtë ndaj nxënësve, thirrje për dialog mes qeverisë dhe sindikatave

1 shtatori i sivjetëm pritet që bankat shkollore t’i gjejë boshe pas njoftimit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) se greva në arsim dhe sektorë të tjerë do të fillojë nga data 25 gusht.

Të enjten e 18 gushtit Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së tha se greva iu ka mbetur e vetmja zgjidhje pasi që Qeveria nuk i ka përfillur kërkesat për dialog.

“BSPK i përdori të gjitha mjetet dhe rrugët të organizimit sindikal drejt kërkesave të arsyeshme të të punësuarve por nuk ia dolëm të ulemi në tavolinën e dialogut social me partnerin tonë social – Qeverinë dhe kësisoj të gjejmë zgjedhjen e duhur për të gjithë bashkërisht”- tha Hykolli para mediave, teksa përmendi edhe kërkesat kryesore të tyre për të cilat nuk i është mundësuar të dialogojnë me qeverinë.

“Duam dhe kërkojmë arsyeshëm: Rritje page prej 100 euro për të gjithë të punësuarit përderisa të miratohet e zbatohet Ligji për paga; Plotësim- ndryshimi i ligjit për skemat pensionale të finacuara nga shteti; Zbatimi sa më parë i ligjit të miratuar dhe të shpallur për sigurimin shëndetësor qysh në 2014-tën” – shtoi ai.

Pikëpamja nga ana e OJQ-ve për arsim

Dibran Hoxha, koordinator i aktiviteteve në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka thënë që grevat do ta përkeqësojnë gjendjen në arsim.

“Grevat kanë për ta përkeqësuar edhe më shumë (gjendjen), megjithatë edhe ngecjet e mëhershme për shkak të pandemisë veç se janë reflektuar”- ka thënë Hoxha për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK) duhet të marrë përgjegjësi për kuadrot dhe rezultatet e dobëta që po shfaqen në arsimin në Kosovë.

“SBASHK-u për aq sa nuk pranon të testohet dhe për aq kohë sa nuk merr përgjegjësi për kuadrot e dobëta në sistemin e arsimit para universitar që gjenden dhe rezultatet e dobëta që manifestohen për shkak të këtyre kuadrove, këta nuk kanë të drejtë morale në radhë të parë për të kërkuar rritje të pagave” – është përgjigjur Hoxha.

Ai tha se nëse kjo sindikatë do ta pranonte testimin e mësimdhënësve atëherë do të ishte e drejtë që qeveria edhe ministria e arsimit t’ia aprovoj kërkesat e SBASHK-ut.

“Nëse SBASHK-u pranon që të paktën të testohen mësimdhënësit atëherë edhe qeveria edhe ministria e arsimit e ka për obligim t’ia aprovoj kërkesat e SBASHK-ut, përndryshe kërkesat e tyre mbesin jo legjitime përderisa ata nuk i pranojnë as fajin dhe përgjegjësitë që i bartin me vete”- ka thënë Hoxha për KALLXO.com duke shtuar se mësimdhënësit nga sektori publik dhe ai privat meritojnë paga më të dinjitetshme por se jo të gjithë mësimdhënësit i meritojnë ato paga.

Edhe Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard thotë se grevat nuk janë zgjidhja e duhur.

Mos fillimin e vitit shkollor për shkak të grevave ai e ka cilësuar si të pranueshëm dhe të padrejtë ndaj nxënësve.

“Mësimdhënësit meritojnë paga të dinjitetshme dhe kjo nuk guxon të kontestohet nga askush, por rritja e pagave dhe përmirësimi i kushteve të punës duhet të bëhet me negocim, dhe jo me ndërprerje të procesit mësimor” – ka thënë Qehaja.

Sipas tij, nxënësit pa të drejtë, janë të ekspozuar ndaj një sistemi jo cilësorë në arsim.

“Nxënësit, pa të drejtë, veçse janë të ekspozuar ndaj një sistemi arsimor jo cilësorë, tash kësaj të i shtohet edhe ndërprerja e mësimit me të vërtet është e pafalshme” – ka vijuar ai.

Përgjigje të ngjashme KALLXO.com ka marrë edhe nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK).

Denis Krasniqi përfaqësues i nxënësve në këtë këshill ka bërë thirrje që Qeveria dhe SBASHK-u të gjejnë gjuhë të përbashkët.

“Ne jemi kundër grevës kategorikisht por gjithashtu nuk jemi kundër kërkesës së mësimdhënësve. Ne bëjmë thirrje që dy palët, Qeveria dhe SBASHK-u të arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët që mësimi të filloj në shtator pa vonesa në procesin mësimor” – është shprehur Krasniqi për KALLXO.com.

Grevat ai ka thënë se do të ndikojnë që arsimi të ketë edhe më shumë probleme me cilësinë.

“Tri vitet e fundit ka pasur shumë probleme (në arsim) shkaku i pandemisë. Nëse prapë vazhdojmë me greva atëherë cilësia e arsimit vetëm do të shkojë duke rënë dhe ka me ardhë në një pozitë kur pastaj nuk do të arrijmë të mobilizohemi krejt si shoqëri për me i ngritë kuadrot ashtu siç do të donim të ishin” – ka qenë përgjigja e Krasniqit.

Të premten edhe Kryesia e Këshillit të Prindërve të Kosovës (KPK) njoftoi se ka mbajtur takim me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Në njoftimin e tyre u tha se dy palët ranë dakord që sistemi arsimor duhet ta ketë prioritet interesin e nxënësve dhe të mos përdoren për shtyrje të agjendave të caktuara.

“Dyja palët ranë dakord që sistemi arsimor në Kosovë, në të gjitha nivelet, duhet të kenë prioritet të padiskutueshëm interesin e nxënësve. Asnjë institucion apo organizatë nuk duhet të përdorë nxënësit për të ngritur ose shtyrë interesa dhe agjenda të caktuara dhe se të gjitha palët e interesit duhet të veprojnë duke pasur këtë në mendje” –  u tha në njoftim.

Qëndrimet e përfaqësuesve politikë në arsim

Kreu i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola ka thënë se e kupton gjendjen e punonjësve të arsimit, por që janë kohërat sfiduese nëpër të cilat po kalon vendi dhe Qeveria ato që e vështirësojnë këtë situatë.

 “Qeveria Kurti 2 është duke vepruar në kontekst furtunash të fuqishme, asnjëra prej tyre e prodhuar nga ajo. Pandemia Covid 19, inflacioni, kriza energjetike, ndryshimi i ekuilibrave gjeopolitike, ofensiva e paprovokuar ushtarake e Rusisë ne Ukrainë, trysnia për marrëveshje finale me një Serbi të padenazifikuar, e cila përmes instrumentalizimit te komunitetin serb është duke mbajtur peng historikisht Kosovën. Pra, janë momente vendimtare qe definojnë kahjen dhe ritmin e zhvillimit të Kosovës” – ka thënë Gola për KALLXO.com.

Ai këto kërkesat e BSPK-së i ka quajtur të drejta dhe legjitime por ka thënë se rrethanat momentale e imponojnë që të ketë nevojë për durim në drejtim të vazhdimit të dialogut social e politik në përgjithësi.

“Asgjë nuk e rrezikon këtë dialog me shumë se veprimet e skajshme sindikale, të cilat tingëllojnë si forma të kushtëzimit dhe kërcënimit, por që realisht nuk janë te tilla, pasi që askush nuk pajtohet që fëmijët duhet të pësojnë për shkak të ritmit të dialogut social dhe të politikave qeveritare”.

Sipas tij, është lajm i mirë njoftimi i Qeverisë se Projektligjin i ri për paga do të sjellë efekte në përmirësimin e pozitës së punëtorëve të arsimit, motivimin e tyre për performancë sa më të mirë dhe drejtësi e barazi.

“Është premtuar po ashtu koeficient i dinjitetshëm për punonjësit e arsimit të të gjitha niveleve; trajtim i barabartë i mësueseve klasorë dhe mësimdhënësve lëndorë në arsimin e mesëm të ulët; shtesa në paga në bazë të kualifikimit etj” – është shprehur Gola.

Ai ka shtuar se lajmi për këtë vendim do të duhej të mjaftonte që të ketë durim për të vazhduar dialogun drejt përmirësimit të pozitës së punonjësve arsimor edhe ngritjen e cilësisë në arsim.

Reagime ndaj grevës së shpallur ka patur edhe nga ana e Ministres së Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci e cila në një konferencë për media ka thënë se mos-mbajtja e mësimit i dëmton më së shumti nxënësit dhe shkel të drejtën e tyre për arsim.

“Humbja e mësimit është cenim i së drejtës themelore e fëmijëve për arsim dhe për ne është e papranueshme sepse në vazhdimësi po punojmë që të ofrojmë mbështetje për mësimdhënësit dhe përmirësimin e rezultateve në arsim”- është shprehur ministrja.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga deputetët e partive opozitare PDK, AAK dhe LDK të cilët janë pjesë e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, mirëpo deri në momentin që është publikuar ky tekst KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje.