Foto: ZKM

Ministri Murati pyet anëtarët e SBAShK-ut për afërsinë e tyre me partitë politike (VIDEO)

Gjatë diskutimit për grevën në Komisionin për Arsim, ministri Hekuran Murati i është drejtuar përfaqësuesit të SBASHK-ut, Ymer Ymeri, duke e pyetur se cilës parti i përket.

“Nga ana e përfaqësuesëve të këshillit grevist u tha se kush janë dhe çfarë pozita mbajnë por konsideroj që megjithatë duhet t’i njohim më mirë dhe prandaj kisha disa pyetje për anëtarët për shkak se për zotin Ymeri është raportuar se është i afërt me subjekte të caktuara politike, ndoshta mund të na njoftoj a ka ndonjë afërsi të tillë” – tha Murati.

Kjo gjë nxiti reagime nga pjesëmarrësit e këtij takimi.

“Qe nja dy ditë jam bërë me Vetëvendsojen” – u përgjigj Ymeri.

Në anën tjetër, nënkryetarja e këtij komisioni Albena Reshitaj kërkoi nga Murati që ai të mos bëjë pyetje të tilla dhe i kujtoi atij se në këtë diskutim është pjesëmarrës në cilësinë e ministrit.

“Ne ju kemi ftuar në cilësi të ministrit të Financave duke pasur implikime në këtë situatë si protagonist edhe të situatës me grevën prandaj ju lutem na arsyetoni implikimet buxhetore që do të mund të ishin të paarsyeshme sipas jush, sipas deklaratave tuaja për të arritur një marrëveshje me kërkesat maksimale të SBASHK-ut dhe nëse ka një alternativë tjetër që Qeveria mund ta bëjë që të kemi një zgjidhje të përbashkët” – ka thënë ajo duke shtuar se edhe të tjerët kanë pyetje ndaj Muratit se pse ende nuk është bërë zgjidhje.

Ndërhyrje pati edhe nga kryetari i këtij Komisioni, Ardian Gola, i cili kërkoi që në këtë diskutim të përdoren argumente dhe gjuhë teknike dhe t’i iket gjuhës politike.

“Do të doja që për shkak të procesit dhe situatës që nuk mund ta mohojmë është paska e elektrizuar do të doja që të përmbahemi maksimalisht nga gjuha politike dhe të ofrojmë ekskluzivisht për aq sa është e mundshme dhe na lejon gjuha të përdorim argumente dhe gjiuhë teknike. Prandaj ministër Murati, me lutjen kolegiale  dhe institucionale të lutem të jesh sa më konciz në argumentet dhe argumentimet teknike juridike…” – tha Gola.

Sot është duke u mbajtur takim mes ministrit të Financave, Hekuran Murati, ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, përfaqësuesve të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK) dhe Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ku po diskutohet lidhur me grevën e përgjithshme në arsim.

Po bëhen gati një muaj që nga fillimi i grevës së përgjithshme në Kosovë dhe ende nuk është arritur një marrëveshje mes Qeverisë dhe sindikalistëve.