Albin Kurti - Foto: Facebook

Kurti: Së Pari Lufta kundër Korrupsionit, Pastaj Demarkacioni

Albin Kurti dëshiron që deri në dhjetor të plotësohet kushti i luftimit të korrupsionit dhe pastaj të ratifikohet demarkacioni.

Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti ka përsëritur se së pari duhet plotësuar kushtin e luftimit të korrupsionit, e pastaj atë për demarkacionin.

“Pse të mos e plotësojmë njëherë kriterin për të cilin kemi konsensus nacional, pra luftimin e krimit e korrupsionit, e mandej atë të ratifikimit të ‘demarkacionit’, për të cilin jemi të ndarë, apo jo?”, shkroi Kurti në facebook.

Ai konstatoi se korrupsioni dhe krimi i organizuar duhet të luftohen me vendime të fundme gjykatash, ndërsa përmendi dhjetorin si afat kur duhet ratifikuar demarkacioni.

“Andaj, le ta plotësojmë këtë kushtin tjetër dhe në përmbyllje të tij, psh. në të njëjtën javë diku në dhjetor, e ratifikojmë edhe ‘demarkacionin’”, vijoi postimi i Kurtit.

Ai deklaroi se komisionet për kufirin nga Kosova e Mali i Zi kanë pasur detyra të ndryshme nga njëri-tjetri.

“Murat Meha ka kryesuar Komisionin e Kosovës për shënjim e mirëmbajtje të kufirit, pra për saktësim të kufirit, për demarkacion. Milan Paunoviq ka kryesuar Komisionin e Malit të Zi për përcaktim dhe vendosje të kufirit, pra për kufizim me Kosovën, për delimitim”, shkroi Kurti.

Ai bëri të ditur se komisioni i kryesuar nga Meha ia ka lënë malit të Zi pjesën e tokës ër të cilën nuk ka pasur dokumente, edhe nëse sipas Kurtit as Mali i Zi nuk ka pasur dokumentet për atë pjesë.

“Meha ka pranuar që ne ta dëshmojmë me libra kadastralë dhe vetëm me to që toka e jonë është territor yni, d.m.th. aty ku ne s’kemi ‘letra’ (edhe nëse as Mali i Zi s’i ka ato) ajo i takon Malit të Zi!”, shkroi Kurti.

Ai përmendi tri arsye pse Kosova nuk duhet të ngutet në lidhje me ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit.

“Mali i Zi ka pranuar të bisedojë; Presidenti Thaçi ka pranuar gabimin; Liberalizimi i vizave nuk bëhet pa rezultate konkrete kundër krimit e korrupsionit”, shkroi Kurti.

Ai në fund deklaroi se vetëm Thaçi po ngutet për ta ratifikuar marrëvershjen e demarkacionit.

Ngjashëm Kurti foli edhe në tryezën e Vetëvendosjes.

13 Mars 2018 - 09:55

Bekim Muhaxheri 13/03/2018 - 09:55
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend