Shiu anulon mbajtjen e natës së parë të festivalit 'BeerFest Kosova'

Për shkak të shiut është anuluar nata e parë e festivalit tradicional të birrës “Beerfest Kosova” që ishte planifikuar të niste sonte në parkingun e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Lajmi është bërë i ditur nga organizatorët e festivalit përmes rrjeteve sociale.

“Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, me keqardhje ju njoftojmë se eventi i sonte BeerFest është anuluar. Siguria dhe kënaqësia juaj janë prioritetet tona kryesore dhe ne duam të sigurojmë përvojën më të mirë për të gjithë”- thuhet në njoftimin e “BeerFest Kosova” në Instagram.

Stafi i ‘BeerFest” ka bërë të ditur se programi i natës së sotme do të zhvillohet të martën, më 11 korrik.

“Kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim të shkaktuar dhe vlerësojmë mirëkuptimin tuaj. Shihemi nesër për një natë epike me muzikë, vibe të mrekullueshme dhe kujtime të paharrueshme!”- thuhet në njoftimin e “BeerFest” në Instagram.

Edicioni i sivjetmë i festivalit tradicional të birrës “Beerfest Kosova” është planifikuar të mbahet nga 7 deri më 10 korrik, ndërsa pritet të përformojnë emra të njohur të muzikës argëtuese.