Pamje nga promovimi i librit “Salih Çekaj, veprimtaria politike dhe ushtarake’. Foto: KALLXO.com.

Promovohet libri për heroin e Koshares, Demaj: Salih Çekaj ishte përbashkuesi i shqiptarëve për çlirimin e Kosovës

Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë ka promovuar sot, më 29.05.2024, librin “Salih Çekaj, veprimtaria politike dhe ushtarake” të historianit Frashër Demaj.

Libri është botuar në 25- vjetorin e rënies së heroit Çekaj në luftën e Koshares.

Libri “Salih Çekaj, veprimtaria politike dhe ushtarake” përmbledh gjithë kontributin patriotik, politik e ushtarak të heroit Çekaj, që nga viti 1990 deri më 1999.

Teuta Shala-Peli, drejtoreshë e IH -së “Ali Hadri” në Prishtinë tha gjatë fjalës së saj se me botimin e këtij librit nderohet angazhimi dhe sakrifica e popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe pavarësi.

“Andaj në përvjetorin e 25-të të çlirimit të Kosovës është momenti i duhur që t’i kujtojmë dhe nderojmë të gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sot po kujtojmë Salih Çekajn, një figurë e lavdishme e kësaj lufte”- tha ajo.

Ndërsa, historiani Fehmi Rexhepi tha se libri “Salih Çekaj, veprimtaria politike dhe ushtarake” është një studim gjithëpërfshirës për personalitetin poliedrik të heroit Çekaj.

“Në libër jepen të dhëna të dokumentuara arkivore rreth angazhimit ushtarak të Çekajt, kontributin e tij politik e ushtarak në Deçan, konsolidimin e luftës së UÇK-së, kontaktet me personalitete të njohura ushtarake e politike të kohës, veçmas në koordinimin e grupeve të para ushtarake në Shqipëri, në fillim të viteve 1990-ta”- tha Rexhepi.

Kurse Teki Kurti, historian nga Tirana, tha se kjo vepër shkencore mbi një figurë të luftës së Kosovës paraqet rëndësi për historiografinë shqiptare.

“Ky botim është një arritje në aspektin e  studimit të figurave dhe personaliteteve të rëndësishme që në kohë paqeje dhe luftërave lanë gjurmë të pashlyera në kujtesën e historisë sonë kombëtare dhe përpjekjeve për lirinë e Kosovës”- tha Kurti.

Një fjalë rasti mbajti edhe Frashër Demaj, autori i librit “Salih Çekaj, veprimtaria politike dhe ushtarake”.

Ai tha se i janë dashur 7 vjet (nga 2017 deri në prill 2024) për kompletimin dhe botimin e librit për heroin Çekaj.

“Përveç tjerash, Çekaj ishte edhe një përbashkues i faktorit shqiptar atë kohë, dhe kjo u pa në luftën e Koshares, ku rezultatet qenë të jashtëzakonshme sepse iu dha një leksion forcave serbe”- tha ai.

Salih Çekaj ka rënë në luftimet në Koshare më 19 prill 1999. Për kontributi e tij politik e ushtarak për çlirimin e Kosovës, Çekaj, më 19 maj 2005, është nderuar nga ish-presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Pamje nga promovimi i librit “Salih Çekaj, veprimtaria politike dhe ushtarake’. Foto: KALLXO.com.

 

Ballina e librit “Salih Çekaj, veprimtaria politike dhe ushtarake’. Foto: KALLXO.com.