Poezitë e Agim Vincës botohen në gjuhën boshnjake

Ditë më parë në Sarajevë nën kujdesin e Shtëpisë Botues „Perfecta“, është botuar libri me poezi i poetit Agim Vinca me titull “Engjëjt pëshpërisin në mëngjes“ (Andeli propovijedaju jutrom).

Poezitë në gjuhën boshnjake janë përkthyer nga përkthyesi tashmë i njohur Smajl Smaka (disa nga vetë autori).

Libri përmban gjithsej 65 poezi, shënimet për autorin, si dhe një poezi të poetit të Husein Tahmishçiq kushtuar Agim Vincës.

Duke vlerësuar krijimtarinë poetike të Vincës, recensent i librit shkrimtari i njohur nga Mali i Zi, Mirash Martinoviq, ndër të tjerash ka shkruar se Agim Vinca është poet i dorës së parë, epitet që u përket vetëm të rrallëve – atyre në poezinë e të cilëve artikulohet koha, historia dhe metafizika: Ajo që poetët e mëdhenj, ashtu si alkimistët, e shndërrojnë në përjetësi.

“Vinca është një alkimist i tillë, që përditshmërinë e shndërron në poezi të madhe. Kjo është poezi autentike, autoktone, e lidhur me truallin dhe jetën. E gjallë, si rrënjët që e thithin fuqinë nga toka. Vinca i prek telat e harfës së quajtur jetë dhe atë tingull e shndërron në fjalë, duke i dhënë kuptim çdo gjëje që prek”, ka konkluduar Martinoviq.

Poezia e Vincës, shton më tej krijuesi malazias, është eliptike, e pjekur deri në thelb, e ngjeshur deri në klithmë, deri në dhimbje, deri tek aivrushkull drite që ndriçon honet e thella.

Botimi i këtij libri sipas Martinoviqit e nderon letërsinë boshnjake dhe ngre një hark-urë, që lidh si ylber popujt që jetojnë në Bosnjë dhe në Kosovë.

Kurse redaktorja e librit, profesoresha Muratagiq-Tuna, ka potencuar se në jetën e tij, sidomos në kohën e mynxyrës së madhe, Agim Vinca nuk heshti si qyqar, por ngriti zërin dhe luftoi përmes armës së tij të vetme, këngës, ashtu siç bën tani me poezitë të cilat na i ofron.

“Ato në asnjë çast nuk të lënë gjakftohtë, sepse ky poet me poezitë e tij na tërheq ngadalë në greminën e tmerreve të përjetuara për çdo ditë në vendin e tij ose edhe më larg, dëshmitarë të të cilave kemi qenë edhe ne vetë. Përmbledhja e Agim Vincës është plotësisht origjinale dhe arrin të nxisë përjetim të njëmendët artistik”, ka shkruar ndër të tjerash Muratagiq-Tuna.