Ekspozita Herbarium përfshin një shumëlllojshmëri bimësh. Foto: BIRN.

Ekspozohen në Sarajevë bimët e gjetura në varret boshnjake të kohës së luftës

Artisti boshnjako-danez i artit pamor, Ismar Cirkinagic, hapi ekspozitën e tij “Herbarium” në Sarajevë, duke shfaqur më shumë se 40 bimë që ai i mblodhi nga vendet e varreve masive të kohës së luftës në Bosnje.

Ekspozita Herbarium, e cila përmban bimë të mbledhura në vendet e varreve masive në Bosnje dhe Hercegovinë, u hap të dielën në mbrëmje në seksionin e Kopshtit Botanik të Muzeut Kombëtar, i cili për shkak të interesit të lartë publik rezultoi të ishte shumë i vogël për të pritur të gjithë ata që dëshironin të merrnin pjesë.

Artisti i artit pamor Ismar Cirkinagic, i cili u largua nga vendlindja e tij Prijedori në Bosnjën dhe Hercegovinën veriperëndimore në Danimarkë në vitin 1992 për shkak të luftës, ka punuar për këtë projekt për gati një dekadë.

Ai e mori idenë ndërsa po fotografonte vendndodhjet e varreve masive për një projekt tjetër dhe kuptoi se një trup i vdekur i njeriut merr një jetë tjetër pasi ushqen barin dhe bimët e tjera.

Çdo bimë në ekspozitë shoqërohet me një përshkrim, detaje të vendndodhjes ku është gjetur dhe informacion për tokën. Çdo përshkrim përfshin gjithashtu detaje në lidhje me varrin masiv ku u rrit bima dhe numrin e trupave të gjetur atje.

“Këtu po ekspozojmë më shumë se 40 bimë nga katër lokacione të ndryshme”, tha Cirkinagic për BIRN.

Para se të ekspozonte punën e tij në Bosnje dhe Hercegovinë për herë të parë, ekspozita u shfaq në disa qytete evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara.

“Kishim raste kur dy gra po qanin para këtyre bimëve në Majami”, tha Cirkinagic.

“Por këtu ndihet ndryshe, ndoshta sepse këtu kjo histori është ‘aq afër shtëpisë’”, shtoi ai.

Sipas Institutit të Personave të Zhdukur, 750 varre masive janë gjetur në Bosnje dhe Hercegovinë që nga lufta e viteve 1992-1995.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Muzeun Kombëtar deri më 13 janar 2023.

Artikulli fillimisht është publikuar në Balkan Insight.

Ismar Cirkinagic, krijuesi i koleksionit Herbarium. Foto: BIRN.
Koleksioni Herbarium përfshin më shumë se 40 bimë të mbledhura në katër lokacione të ndryshme. Foto: BIRN.
Përveç informacioneve rreth bimës, ka edhe informacione mbi varret masive dhe numrin e trupave të gjetur. Foto: BIRN.
Ekspozita ka ngjallur interes të madh mes banorëve të Sarajevës. Foto: BIRN.
Ekspozita Herbarium përfshin një shumëlllojshmëri bimësh. Foto: BIRN.
Një nga bimët e ekspoziara. Foto: BIRN.
Hapësira e ekspozitës ishte shumë e vogël për numrin e njerëzve që erdhën natën e hapjes. Foto: BIRN.