Nxënësit nga Gjakova do të marrin pjesë në festivalin e koreve në Sarajevë
Kori i Shkollës së Mesme të Lartë të Muzikës, “Prenk Jakova” në Gjakovë do të marrë pjesë në festivalin e koreve që mbahet vitin e ardhshme në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës.
Festivali i Ndërkombëtar i Koreve në Sarajevë, (International Sarajevo Choir Festival) do të mbahet më 8 dhe 9 maj 2023, në kryeqytetin boshnjak.
Lajmi për pjesëmarrjen e nxënësve gjakovarë në këtë festival e ka konfirmuar për KALLXO.com, Kastriot Sada, drejtor i shkollës “Prenk Jakova”.
“Kori i shkollës së mesme të lartë të shkollës së Muzikës “Prenk Jakova “ në Gjakovë do të prezantohen në festivalin e koreve në Sarajevë”- tha për KALLXO.com drejtori Sada, i cili njëkohësisht është edhe dirigjent i korit të shkollës “Prenk Jakova”.
Festivali “International Sarajevo Choir Festival” ka karakter garues. Përveç korit të nxënësve nga Gjakova, në këtë festival do të marrin pjesë edhe garues nga vendet tjera ballkanike.