Muzeu i Alfabetit- Manastir. Foto: Facebook.

Botohet libri i i Agim Vincës 'Saga e shkronjave shqipe'

Me organizimin e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës dhe të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, doli nga shtypi libri “Saga e shkronjave shqipe (Kongresi i Manastirit: të thëna dhe të pathëna)” i profesor Agim Vincës.

Ky libër botohet në 114-vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Manastirit, në të cilin u vendos për alfabetin e gjuhës shqipe.

Libri “Saga e shkronjave shqipe” është për një studim kritik mbi këtë ngjarje të madhe të historisë dhe kulturës shqiptare, që zhvilloi punimet në qytetin e Manastirit, atëbotë qendër e Vilajetit, prej 14-22 nëntor 1908.

Autori konsideron se Kongresi i Manastirit zgjidhi një nga çështjet fundamentale të kulturës shqiptare: Atë të alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe, që i hapi rrugë edhe njësimit të drejtshkrimit të saj rreth shtatëdhjetë vjet më vonë.

Studiuesi, Rami Memushaj  ka shkruar në recensionin e tij se ky libër është një reflektim i autorit për këtë ngjarje historike dhe për aktorët e saj kryesorë.

“Faktet të cilave u referohet autori interpretohen me gjakftohtësi e paanësi dhe bëhen përpjekje për t’u dhënë vendin e duhur disa delegatëve të Kongresit, meritat e të cilëve nuk janë vlerësuar si duhet e sa duhet”- ka shkruar ai.

Recensenti tjetër i librit, Avzi Mustafa, nënvizon se studimi i Vincës dëshmon me akribi shkencore se gjuha shqipe, me alfabetin e saj, është stabilizuar tashmë dhe ka një zhvillim të shkëlqyer, duke u përfaqësuar në mijëra botime, vepra letrare, shtyp, tekste shkollore e shkencore etj.

Kurse, publicisti Mustafa Nano në fjalën e tij, pasi vlerëson librin si një interpretim të ri të Kongresit të Alfabetit dhe të vendimeve të tij, autorin e librit, porfesor Agim Vincën, e cilëson si ndër njohësit dhe mbrojtësin e rrallë  të  gjuhën shqipe.

Libri “Saga e shkronjave shqipe (Kongresi i Manastirit: të thëna dhe të pathëna)” përbëhet nga dhjetë kapituj dhe shoqërohet me rezyme në gjuhën shqipe, në anglisht e në frëngjisht, si dhe me një album të vogël dokumentesh dhe fotografish.

Kongresi i Manastirit, i njohur edhe si Kongresi i Alfabetit të shqipes u mbajt nga 14 deri më 22 nëntor 1098 Manastir, diku qendër e Vilajetit (Perandoria Osmane) me të njëjtin emër.

Ballina e librit ‘Saga e shkronjave shqipe’.