Teatri Kombetar

Teatri Kombetar. FOTO- Denis Sllovinja

Objekti i Teatrit Kombëtar përfshihet në rrjetin e Termokosit

Ngrohtorja e Qytetit të Prishtinës, Termokos këtë vit do të ngrohë edhe objektin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Zyrtarë të “Temokosit” dhe të TKK-së kanë konfirmuar për KALLXO.com lidhjen e objektit me ngrohtoren e qytetit.

Afërdita Uka-Fejzullahu, zëdhënëse e “Termokosit”, ka thënë për KALLXO.com se të gjitha pajisjet e nevojshme në nënstacionin e ngrohjes për objektin e Teatrit Kombëtar, që janë të nevojshme për furnizimin me ngrohje të këtij objekti, përfshirë këtu edhe kyçjen në rrjetin e ngrohjes, tanimë janë realizuar.

“Si rrjedhojë gjithçka është gati për fillimin e furnizimit me ngrohje, me të nisur sezoni ngrohës 2020/2021, që pritet të fillojë këto ditë edhe për Teatrin Kombëtar, sikurse edhe për afro 15 mijë konsumatorë”, ka thënë Uka-Fejzullahu

Sipas saj, kyçja e objektit të Teatrit është mundësuar nga fondet të Komisionit Evropian.

“Objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës është kyçur në rrjetin e ngrohjes si rezultat i Projektit për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, të realizuar me fondet e ndara nga Komisioni Evropian”, ka thënë zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka-Fejzullahu.

Kyçja e Teatrit Kombëtar në rrjetin e ngrohtores së qytetit “Termokos” është konfirmuar edhe nga ushtruesi i detyrës së Drejtori të Teatrit Kombëtar, Naser Shatrolli.

Që nga pas lufta objekti i TKK-së është ngrohur me naftë. Furnizimi jo i rregullt e herë – herë i pamjaftueshëm me naftë, me vite të tëra ka krijuar probleme për stafin e Teatrit Kombëtar gjatë sezonit dimëror. Shpesh herë ishin ngritur edhe dyshime për keqpërdorimin të naftës dedikuar për ngrohjen e teatrit. Për shkak të mungesës së ngrohjes disa herë TKK-ja është detyruar të ndërpresë dhënien e shfaqjeve për publikun.