Ministri Çeku kërkon hetim nga Krimet Ekonomike për rastin e Arben Zharkut

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka treguar për KALLXO.com arsyet e pezullimit nga detyra të drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Arben Zharku, drejtori i Qendrës Kinematografke të Kosovës është pezulluar sot përkohësisht nga pozita e tij.

Një komision disiplinor i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është duke hetuar akuzat për keqpërdorime të mundshme të Arben Zharku si drejtues i QKK-së.

Ndërkohë, ministri i MKRS, Hajrulla Çeku, i ka bërë kërkesë edhe Drejtorisë së Krimeve Ekonomike për të shqyrtuar pretendimet për keqpërdorime në QKK.

Zyrtarë të MKRS kanë deklaruar për  KALLXO.com  se në rastin e Zharkut janë duke ndodhur dy procese paralele; krijimi i komisionit disiplinor  dhe kërkesa për hetime nga Krimet Ekonomike.

Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të MKRS-së, ka thënë se komisioni disiplinor i Ministrisë është formuar pas propozimit të Këshill Drejtues të QKK-së për pezullimin apo masat disiplinore për Zharkun, mbi bazën e disa veprimeve që KD i QKK-së pretendon se i ka të vërtetuara.

“Pezullimi i përkohshëm zgjat deri në përfundim të tërësishëm të procedurës disiplinore me çka edhe shfuqizohet ky vendim”, ka thënë ajo.

Së dyti, sipas Fetiut, ministri Çeku ka kërkuar hetim edhe nga Krimet Ekonomik.

“Gjithashtu para dy javësh ministri  Çeku ka bërë një kërkesë tek Krimet Ekonomike për të shqyrtuar disa pretendime që kanë ardhur prej burimeve të ndryshme, qoftë këto nga raporti i Auditorit, Këshillit Drejtues dhe dosje të tjera të cilat ndërlidhen me QKK. Ne vetëm kemi përfunduar procedurat që na takojnë si MKRS, ndërsa këto dy procese aktualisht janë duke vazhduar dhe ne po presim vendimet që do të marrin”, ka thënë Fetiu.

Ndërkohë në një pononcim për KALLXO.com, drejtori i suspenduar i QKK-së, Arben Zharku, ka thënë se vet ka kërkuar formimin e një komisioni që do t’i hetojë akuzat e bëra në adresë të tij.

“Është procedurë normale, është formu komisioni. Unë kam kërkuar për me ba një komision për me i vërtetetu krejt dyshimet kushdo që i ka. Pezullimi është normal që mos me mujtë me ndiku në komision. Kur ta kryen punën komisioni atëherë ata dalin me sqarim për gjetjet gjatë hetimit”, ka thënë Zharku.