Mbyll punimet edicioni i 38-të i Seminarit të shqipes

Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare i ka mbyllur sot punimet e edicionit të 38-të. Ceremonia zyrtare për mbylljen e punimeve u mbajt në Sallën “Idriz Ajeti” në Fakultetit Filologjik të UP-së.

Me këtë rast dy drejtuesit e këtij seminari, Shkumbin Munishi, profesor në Fakultetin Filologjik të UP dhe Dhurata Shehri, profesoreshë në Fakultetit Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës, thanë se seminari i 38-të ka arritur qëllimin e tij.

Ata potencuan faktin se dy fakultetet do të thellojnë edhe më shumë bashkëpunimin mes tyre.

“Falënderoj të gjithë seminaristët për kontributin e tyre, profesorët e albanologët nga Kosova, Shqipëria e vende të tjera, stafin organizativ të Seminarit së bashku me vullnetarët”, ka thënë Munishi, drejtor i Seminarit.

Ndërsa bashkëdrejtoresha e Seminarit nga Fakulteti Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës, Dhurata Shehri, përgëzoi seminaristët për përfundimin e suksesshëm të këtij edicioni, dhe shprehu dëshirën e saj të thellohet edhe më tej bashkëpunimi mes dy fakulteteve,

Edicioni i 38-të i Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare nisi punimet më 19 gusht.

Gjatë dy javëve sa ka zgjatur janë zhvilluar një sërë aktivitetesh për albanologjinë me pjesëmarrje të një numri i madh të studiuesve dhe studentëve të albanologjisë nga vende të ndryshme të botës.

Përveç kurseve të gjuhës shqipe për të huaj në tri nivele, gjatë këtij edicioni të seminarit janë zhvilluar dhjetëra ligjërime, ligjërata shkencore, tryeza e prezantime librash.

Ndërsa janë prezantuar edhe studime dhe hulumtime nga studiuesit huaj dhe shqiptarë gjatë sesioneve shkencore nga gjuhësia, letërsia dhe kulturologjia.