Kosova ‘harroi’ artefaktet e Muzeut të Kosovës që mbahen në Serbi

Kosova ka rifilluar bisedimet me shtetin serb për normalizimin e marrëdhënieve. Sipas autoriteteve kosovare bisedimet do të sjellin një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke dhe gjatë bisedimeve do të ngritën çështje të ndryshme.

Por, institucionet kosovare nuk kanë folur as edhe një fjalë të vetme për çështjen e kthimit të  artefakteve të Muzeut Kombëtar të Kosovës që mbahen në Serbi. Nëse Kosova do t’ i kërkojë Serbisë kthimin e artefakteve, ose të pakte kthimi i tyre të jetë detyrim i shteti serbë në marrëveshjen finale.

Mbi 1200 artefakte etnologjike dhe arkeologjike të Muzeut Kombëtar që nga viti 1999 mbahen në Serbi.

Institucionet shtetërore, Qeveria, por edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë qenë të heshtura lidhur me këtë çështje që nga fillimi i bisedimeve me shtetin serb, për normalizimin e marrëdhënieve.

Qeveria e Kosovës, por as MKRS asnjëherë nuk treguan nëse çështja e kthimit të thesarit të Muzeut të Kosovës të jetë biseduar ndonjë herë gjatë këtyre bisedimeve, të nisura gati 10 vjet më parë.

MKRS nuk është përgjigjur interesimit të Kallxo.com, nesër kjo çështje mund të hapet në bisedimet që kanë rifilluar javë më parë në mes dy shteteve.

Interesimit të Kallxo.com rreth çështjes së artefakteve nuk i është përgjigjur as drejtori i MKK-së Ajet Leci. As MKRS e as Leci nuk kanë kthyer përgjigje në pyetje e drejtuara nga Kallxo.com, as edhe nuk janë përgjigjur telefonatave të bëra, deri në publikimin artikullit.

 

Mozaiku i Orfeut

Ekspertë që merren me çështjen e trashëgimisë kërkojnë një vendosmëri më të madhe të Kosovës për  t’i  kthyer artefaktet në vendin e tyre. Por, japin edhe kritika, pasi sipas tyre institucionet shtetërore nuk po e marrin seriozisht çështjen e trashëgimisë kulturore.

Arkeologu Arben Hajdari, aktualisht kryetar i Këshillit Drejtues të Muzeut të Kosovës ka thënë për Kallxo.com se klasa politike duhet të ketë shumë kujdes se si i qaset çështjes së kthimit të artefakteve të cilat tash e 21 vite mbahen padrejtësisht në Serbi.

“Sipas mendimit tim, kthimi i tyre nuk duhet të jetë në asnjë formë pjesë e negociatave. Negociatat nënkuptojnë edhe kompromis, rrjedhimisht ne mund të humbim disa prej tyre, ato që janë me reprezentativet”, ka thënë ai.

Prandaj, shton ai, kjo çështje është e panegociueshme, ato thjeshtë duhet t’i kthehen Muzeut të Kosovës në përputhje me praktikat dhe kornizën ligjore ndërkombëtare për huazimin e eksponateve për ekspozim.

Sipas tij, ekzistojnë mekanizma ligjorë ndërkombëtare të cilat Kosova duhet t`i shfrytëzoj, qoftë për të bërë presion, por, edhe për të paditur Serbinë

“Fatkeqësisht kanë kaluar plotë 12 vite nga ky afat që i është dhënë Serbisë dhe ato ende nuk janë kthyer. Në Muzeun e Kosovës ekziston i tërë dokumentacioni përcjellës i tyre ku tregohet qartë se ato ishin huazuar përkohëshit vetëm për ekspozitë. Prandaj, ajo që duhet bërë institucionet profesionale, është shtimi i trysnisë ndaj Serbisë përmes  mekanizmave ndërkombëtar në zbatim të ligjeve dhe praktikave ndërkombëtare dhe të kthej artefaktet Muzeut të Kosovës. Institucionet e Kosovës duhet parë edhe mundësin e ushtrimit të padisë ndaj Serbisë për këtë çështje. Ekzistojnë mekanizma ligjorë ndërkombëtare të cilat Kosova duhet ti shfrytëzoj, qoftë për të bërë presion, por, edhe për të paditur Serbinë”, ka thënë ai.

Sali Shoshi, drejtori i CHwB-së për Kosovës ka thënë për Kallxo.com se pala kosovarë duhet të adresojë çështjen jo vetëm të artefakteve të cilat janë dërguar në Serbi, por edhe të shkatërrimit sistematik të trashëgimisë kulturore të bërë nga forcat militare serbë gjatë luftës në Kosovë

“Në raport me dialogun me Serbinë, unë nuk kam asnjë lloj informacioni për atë se diskutohet mirëpo unë vlerësoj që pala kosovarë duhet të adresoj çështjen jo vetëm të artefakteve të cilat janë dërguar në Serbi por edhe të shkatërrimit sistematik të trashëgimisë kulturore të bërë nga forcat militare serbë gjatë luftës në Kosovë. Kosova duhet të adresoj këtë çështje edhe në instanca të tjera ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Xhubleta

Ndërkaq, Hajrulla Çeku, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës ka thënë se çështjet e kulturës dhe trashëgimisë kulturore vazhdimisht janë trajtuar me nënçmim nga qeveritë e Kosovës dhe ekipet dialoguese me Serbinë.

“Koleksioni arkeologjik dhe etnologjik i Kosovës, i grabitur nga Serbia, vazhdon të mbahet në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare. Serbia vazhdon të mbajë padrejtësisht këtë koleksion, duke dëshmuar se mendësia gjenocidale nuk është vetëm e kaluar e errët e këtij shteti”, ka thënë Çeku për Kallxo.com.

Ndërsa, ka shtuar se Kosova ka pasur përpjekje anemike në të kaluarën, por pa asnjë rezultat për të detyruar Serbinë të kthejë koleksionin e grabitur.

“Krahas çështjeve të të pagjeturve, drejtësisë për viktimat e luftës, dëmshpërblimit për shkatërrimin ekonomik, dialogu me Serbinë duhet ta vendosë lart në listën e kushtëzimeve edhe kthimin e artefakteve nga Serbia”, ka pohuar Çeku.

Në vitin 1999 në vlugun e Luftës së Kosovës autoritetet e dhunshme serbe të asaj kohen pate dërguar në Beograd pjesën kryesore të thesarit arkeologjik dhe etnologjik të Muzeut të Kosovës, gjoja për prezantim në një ekspozitë. Nga ajo kohë ky thesar mbahnet në Serbi.

Në 2002, ish kryeadministratori Michael Steiner ktheu në Kosovës, “Hyjnesha në fron”. Ky artefakt është i vetmi nga thesari prej më se 1 200 artefakteve kosovare që është kthyer nga Serbia.

Okarina