Foto: 'Marubi'.
Hapet nesër në Prishtinë ekspozita me fotografi të muzeut ‘Marubi’
Organizuar nga Galeria e Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” (Shkodër), hapet nesër, më 23 shkurt 2023, ekspozita “Tenda e takimit e një oborri”.
Ekspozita do të hapet në ora 19:00.
Kjo ekspozitë përmban fotografi të periudhave të ndryshme të realizuar nga kinoteka “Marubi” e Shkodrës që tash është shndërruar në muze.
“Këta imazhe janë të parat fotografi që shpërfaqin një Shqipni, e cila deri në vitet ’70 të shek. XIX ishte krejt e panjohun për të huejt. Këto fotografi të Marubbi-t do të përhapeshin në masë nga litografët vjenezë, të cilët i shtypën tue i kthye ato në karta postale ose, sikurse i njohim na, në kartolina kujtimi me mbishkrimin Souvenir de Scutari d’ Albanie” – thuhet në njoftimin e GMK-së për ekspozitën.
Ekspozita “Tenda e takimit e një oborri” është kuruar nga Luçjan Bedeni dhe do të qëndrojë e hapur në GMK-së deri më 1 prill 2023.