Skenë nga filmi ‘Pa vend’. Foto: QKK

Filmi 'Pa vend' nominohet për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit

Filmi “Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda është përzgjedhur në mesin e pesë filmave të shkurtër që do të garojë për çmimin “European Short Film 2021” të Akademisë Evropiane të Filmit.

“Pa vend” do të konkurrojë për filmin më të mirë evropian të shkurtër si kandidat i Festivalit të Filmit të Kanës, në të cilin filmi garoi për “Palmën e Artë” në kategorinë e filmave të shkurtër, në korrik të këtij viti.

Sipas, njoftimit në ueb faqen e “European Film Awards”, programi i filmit të shkurtër organizohet nga Akademia Evropiane e Filmit në bashkëpunim me një sërë festivalesh filmi në të gjithë Evropën.

“Në secilin prej këtyre festivaleve, një juri e pavarur prezanton një nga filmat e shkurtër evropianë në konkurrencë me një kandidaturë në kategorinë e filmave të shkurtër të Çmimeve të Filmit Evropian. Pesë filmat e fundit të shkurtër u nominuan nga lista përfundimtare nga festivalet pjesëmarrëse”, thuhet në njoftimin e “European Film Awards”.

Përveç filmit “Pa vend”, në garë për çmimin e filmit më të mirë të shkurtër evropian janë edhe: “Bella”, “Easter Eggs”, “In Flow Of Word” dhe “My Uncle Tudor”.

Fituesi e çmimeve evropiane të filmit, “European Film Awards” do të shpallën më 11 dhjetor 2021 në Berlin.