Teatri i Gjakovës "Hadi Shehu"

Erson Zymberi: Vendimi për mos hapjen e teatrove është diskriminues 

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar hapjen e teatrove edhe kinemave edhe për një kohë të pacaktuar siç ishte planifikuar në fazën e tretë, është pritur me reagime nga drejtues të teatrove dhe krijuesit të artit dramatik.  

Duke shprehur zhgënjimin e tyre, drejtuesit e teatrove kanë thënë për Kallxo.com se me mos dhënie të lejes për rihapjen institucionet po diskriminojnë teatrot të vend. 

Që nga 1 qershori në vend ka nisur kthimi i normalitetit me rihapjen e bizneseve të grastronomisë, çerdheve dhe qendrave, të cilat ishin mbyllur nga 12 marsi për shkak të rrezikut nga COVID-19.

Por, jo edhe teatrot, pasi Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik konsideron se grumbullimi i njerëzve në hapësira të mbyllura ende bartë rrezik nga coronavirusi.

Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Gjilanit ka thënë për Kallxo.com se vendimi për shtyrje pa afat të hapjes së teatrove në vend, është i pakuptimtë dhe dëshpërues. 

Sipas tij ky vendim është diskriminues, për faktin, se siç ka thënë ai, nëse është lejuar hapja e qendrave tregtare, xhamive e kishave, të cilat poashtu grumbullojnë njerëz në ambiente të mbyllura, pse nuk duhet të hapen teatrot, të cilat do ta kishin shumë me të lehtë edhe menaxhimin e publikut duke i sistemuar ata në distanca të nevojshme në ulëset e teatrove. 

“Pra, konsideroj se nuk janë vlerësuar njëjtë rrezikshmëritë për institucione të caktuara duke i diskriminuar në këtë rast teatrot e kinematë. Praktikisht ne kishin me pas shumë më të lehtë kontrollimin e njerëzve apo publikut. Sepse mund ta bëjmë përmes biletave. Ne shesim bileta me ulëse dhe numra. Xhamitë dhe kishat jo. As qendrat tregtare”, ka thënë Zymberi. 

Fisnik Ademi, kryetar i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se vendimi për mos hapje të teatrove është zhgënjyes, pasi Teatri Kombëtar kishe marrë të gjitha masat për fillimin e aktiviteteve dhe është gati për të sjellë premierën e re. 

Ai ka thënë se menaxhmenti i TKK-së ka përgatitur edhe udhëzuesin për rifillimin e punëve sipas kërkesave të institucioneve shëndetësore. 

“Provat për shfaqje kanë filluar. Por, tash po presim se çka po ndodh dhe në koordinim me MKRS të procedojmë me hapat tjerë. Nëse tërheqim paralele me disa aktivitete tjera, s’po di qysh mundet me qenë ma rrezik,  salla e teatrit ka kapacitet prej 300 ulëseve, ne kemi dërguar një udhëzues që me funksionu me 50% të kapacitetit, ku hapësirë ka mjaftueshëm për zbatim të rregullave”, ka hënë ai. 

FOTO – Kallxo.com

Por, ndryshe mendon regjisori Ben Apolloni për vendimin e Qeverisë për të shtyrë hapjen e teatrove.  

Apolloni e ka quajtur të drejtë vendimin e Qeverisë së Kosovës për mos hapje të teatrove. Sipas tij, njëjtë kanë vepruar dhe shtetet e rajonit, madje edhe në vendet më të zhvilluara të Europës. 

“Vendimi është i drejtë, sepse nëpër teatro dhe kinema është problem të mbahet distanca. Kështu kanë vepruar edhe shtetet tjera. E pa drejtë është mospërfshirja e artistëve të teatrit në Pakon Emergjente”, ka thënë regjisori Apolloni për Kallxo.com. 

Faza e tretë e hapjes filloi më 1 qershor, por me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, rihapja e teatrove dhe kinemave është shtyrë për një kohë të pacaktuar. 

“Teatrot dhe kinematë, pavarësisht se ka qenë e planifikuar të hapën në fazën e tretë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në bazë edhe të disa studimeve të fundit që kanë ardhur dhe rekomandimeve nga organizatave prestigjioze shëndetësore në botë, ka rekomanduara që hapja të shtyhet për një kohë të pacaktuar, pasi ka ende rrezik grumbullimi i njerëzve në hapësirat të mbyllura”, deklaroi ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben  Vitia, gjatë konferencës së mbajtur dy ditë më parë, ku edhe u bën të ditura hollësitë rreth fazës së tretë të rihapjes.  

Për dy muaj pandërprerë gjatë pandemisë, teatrot e Kosovës ofruan shfaqje teatrore online përmes Facebook-ut.

Për shkak të rezikut dhe përhapjes së shpejtë të coronavirusit nga 12 marsi i këtij viti u pezulluan të gjitha aktivitetet kulturore, duke përfshirë edhe teatrot. Por, nga 18 maj nisi rihapja graduale e kulturës me hapjen e muzeve dhe galerive.