Muzeu i Kosovës. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri, të mërkurën hapet ekspozita ‘Thesare të Muzeut Historik Kombëtar'

Organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar (MHK) në Tiranë dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës (MKK), nesër (e mërkurë) në Prishtinë hapet ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”.

Ekspozita hapet në ora 18:00 në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, e cila mbahet në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri, për vitin 2022.

Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”, përbëhet nga rreth 25 stenda, të cilat përmbajnë objektet e përzgjedhura nga pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

Ekspozita është realizuar nga MHK në bashkëpunim me MKK dhe mbështetjen e fotografit Fation Plaku, për realizimin e fotografive të vendeve ku janë zbuluar objektet e paraqitura në ekspozitë.

Muzeu Historik Kombëtar krahas objekteve të shumta, ka edhe një koleksion të pasur artefaktesh arkeologjike, historike, ikonografike, e të tjera.