Auditori: Mbi 2 milionë euro obligime të kontraktuara nga QKK-ja deri në fund të 2020-ës

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditmimi për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për 2020-ën, ka evidentuar parregullsi në mbylljen me kohë të projekteve filmike që subvencionohen nga Qendra Kinematografike e Kosovës.  

Sipas ZKA-së nga lista e projekteve filmike të financuara nga QKK-ja, kishte vonesa në mbylljen e projekteve filmike nga një (1) deri tetë (8) vjet.  

“Për projektin e filmit ‘Skype’ të financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) në vlerë 120,000.00€, kemi identifikuar vonesa më shumë se  tre vite në realizmin e projektit filmik. Kontrata ishte nënshkruar në dhjetor të vitit 2016 dhe ishte dashur të përfundojë më së largu në fillim të vitit 2018, ndërsa ky projekt ende nuk kishte përfunduar. Vlen të theksohet se QKK-ja kishte bërë dy herë vazhdimin e kontratës me kërkesë të projektuesit”, thuhet në raportin e Auditorit për MKRS.

Sipas Auditorit, vlera e obligimeve të kontraktuara të krijuara nga QKK deri në fund të 2020 kap totalin prej 2,414,032.00 eurove. 

ZKA konstaton se neni 19 i rregullores 07/2016 për subvencionimin e projekteve filmike QKK, në pikën 2.1 përcakton se afatet kohore për fillimin e xhirimeve nuk mund të jenë më gjatë se gjashtë muaj dhe kohëzgjatja e realizmit të projektit filmik që rezulton me kopjen e parë të filmit nuk mund të jetë më gjatë se 36 muaj, nëse me kontratë nuk parashihet ndryshe. 

Po ashtu Auditori ka gjetur se në 4 raste produksionet filmike kishin përfunduar realizimin e filmit ndërsa ende nuk kishin bërë arsyetimin e mjeteve financiare të marra nga Ministria.  

Kjo vonesë, sipas Auditorit ka ndodhur si rezultat i vështirësive të përfituesit në sigurimin e pjesës së mbetur të financimit vetanak për përmbushjen e projektit filmik, si dhe neglizhencës së projektuesve në përmbushjen e obligimeve kontraktuale.  

Vonesat në përfundimin e projekteve filmike, sipas ZKA-së ndikojnë që MKRS të mos arrijë objektivat e përcaktuara dhe në mungesë të fondeve buxhetore për vitet pasuese, projektet e filluara mund të mos përfundohen edhe një kohë të gjatë, me ndikim në mos arritjen e objektivave vjetore të QKK-së. 

“Ministri duhet të siguroj se të gjitha projektet filmike të subvencionuara realizohen dhe arsyetohen në përputhje me kushtet e kontratës dhe kritereve të përcaktuara në rregullore. Në rastet e mos arsyetimit të subvencioneve apo vonesave në realizim të ndërmerren veprimet ligjore, siç parashihet me kontratat përkatëse”, thuhet në rekomandimin e raportit të ZKA-së, për pasqyrat financiare të MKRS-së për 2020.